Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 10:17

Ëndrrat janë renditje fotografish, zërash ose emocionesh të cilat i përjeton truri ynë gjatë gjumit. Rëndësia dhe domethënia e ëndrrave ende nuk është e njohur dhe e zbuluar në tërësi. Ekziston edhe fusha që studion ëndrrat dhe ajo quhet oneirologjia. Disa gjëra rreth ëndrrave me siguri i dini dhe disa fakte interesante do t’i kuptoni në këtë artikull.

Edhe njerëzit e verbër ëndërrojnë
Njerëzit të cilët janë verbuar pas lindjes mund të shohin fotografi në ëndrrat e tyre. Njerëzit të cilët janë të verbër nga lindja nuk shohin fotografi (imazhe) por i kanë ëndrrat e pasura përsa i përket shqisave të tjera, si zërit, erës, prekjes dhe emocioneve.

Harrojmë 90 % të ëndrrave
Gjysmën e ëndrrave i harrojmë pesë minuta pas zgjimit, pas 10 minutave 90 % e ëndrrave harrohet. Poeti i njohur Samuel Taylor Coleridge është zgjuar një mëngjes pas një ëndrre fantastike (si duket nën ndikim të opiumit) dhe menjëherë ka vendosur ta shkruajë në letër dhe të përshkruaj “vizionin e  ëndrrës” e cila është kthyer në një ndër poemat më të njohura angleze “Kubla Khan”. Por pas 54 vargjeve të shkruara atë e kishte ndërprerë “personi nga Porlocka” (fshat ne jugperëndim të Anglisë), dhe kur i është kthyer poemës, Coleridge nuk e mbante më mend ëndrrën dhe kështu kurrë nuk e përfundoi atë poemë. Është interesante se Robert Louis Stevenson idenë për tregimin mbi “Doctor  Jeckyll and Mister Hyde” e ka marrë nga një ëndërr, gjithashtu Mary Shelly për “Frankenstein”.

Të gjithë ëndërrojmë
Çdo qënie njerëzore ëndërron (përveç në raste ekstreme te çrregullimeve psiqike), por meshkujt dhe femrat kanë ëndrra të ndryshme dhe reagime të ndryshme fizike. Meshkujt kanë tendencë që më shumë të ëndërrojnë për meshkujt e tjerë, ndërsa femrat ëndërrojnë njëlloj si për femra ashtu edhe për meshkujt. Përveç kësaj edhe meshkujt edhe femrat përjetojnë reagime fizike seksuale në ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh nëse ëndrra është e karakterit seksual apo jo. (LajmeShqip.com)