Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 15:39

TIRANË – Rrjeti i njohur social Facebook mbush sot 9 vjet nga krijimi  i tij.  Facebook është themeluar më 4 shkurt 2004 nga një student i Universitetit Harvard, Mark Zuckenberg. Në fillimet e tij rrjeti social Facebook u krijua për një përdorim të brendshëm të studentëve të Harvardit, të cilët nëpërmjet këtij rrjeti mund të komunikonin dhe të shkëmbenin informacione të ndryshme.


Më vonë këtij rrjeti social, i’u shtuan dhe studentë të tjerë jashtë Universitetit të Harvardit dhe gradualisht u bënë të shumtë përdoruesit e tij. Në ditët e sotme Facebook është faqja web më e klikuar në botë dhe njëkohësisht paraqet edhe burimin më të madh e të pafund të informacionit.


Tashmë mund të themi se asnjë moment i jetës sonë nuk mund të kalojë pa u postuar në Facebook. Por shpesh herë përdorimi i këtij rrjeti rrit dhe suksesin e evenimenteve të çfarëdo lloji  si përshembull  grumbullimet e ndryshme, koncertet, ekspozitat, premierat e  filmave, të cilat i publikojmë, por dhe i shtojmë pjesëmarrjen përmes opsionit të Eventeve.


Aktualisht facebook përdoret nga mbi një miliard përdorues aktivë në të gjithë botën dhe paraqitet si një burim i pafund i të dhënave. Facebook tashmë i vjen në ndihmë dhe botës mediatike, pasi përmes tij mund të përcillen më shpejt të gjitha ngjarjet si brenda dhe jashtë vendit.Kohët e fundit Facebook është bërë një element i rëndësishëm i politikës, pasi liderë të njohur politikë në mbarë botën, shfrytëzojnë popullaritetin e këtij rrjeti social për të komunikuar me zgjedhësit e tyre.(LajmeShqip.com)