Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 14:14

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elvana Gjata, ka paralajmëruar se së shpejti do të lansojë albumin e ri.

“Si Elvana” do të titullohet Cd-ja që do të përfshijë, në një vend, krijimet e këngëtares, raporton emisioni “Express” i KTV-së.

“‘Si Elvana’ është titulli i albumit tim të ri dhe në këtë kontest do jenë gjithë projektet e mia. Është ndjenjë e papërshkrueshme kur ti bën një punë që do dhe të gjithë të ndjekin gjithmonë nga pas për sukseset e tua,” është shprehur këngëtarja për mediat në Shqipëri.

Ajo nuk ka dhënë ndonjë datë për lansimin e këtij albumi, por ka thënë se është realizuar një pjesë e madhe e materialeve, duke premtuar se kur të jetë gati do ta tregojë edhe datën e publikimit.

Se Elvana e ka gjetur formulën e suksesit dhe di të godasë mirë tashmë është e dëshmuar. Projektet e saj muzikore nuk kalojnë asnjëherë pa vëmendje.

Derisa në verën e 2014-ës, me këngën “Puthe”, veçmas refreni “1, 2, 3 Puthe”, u bë hit dhe hashtagu #puthe i pushtoi rrjetet sociale. Më pas u realizuan video të shumta duke e kënduar refrenin e kësaj kënge.

Hashtagu #sielvana tashmë është shndërruar në hit dhe ka të bëjë me atë që shumë vajza duan të duken si Elvana, përcjell koha.net. Janë realizuar shumë video, ku shihen fansa të muzikës duke kënduar “Love me”, e madje kjo këngë ka arritur të bëhet edhe pjesë e ahengjeve familjare, saktësisht e dasmave, veçmas duke i shoqëruar çiftet në vallëzim.

Këngëtarja është shprehur e kënaqur që vajzat e ndjekin si model për çdo imtësi, siç është pika e kuqe në mes të ballit të videoja “Love me”, marrë nga kultura indiane, të cilën ajo e vlerëson.

 “Sensacioni i kësaj vere ishte pika e kuqe që e bëra dhe kënaqësi e madhe kur sheh se shumë vajza shqiptare të ndjekin nga pas dhe iu pëlqen shumë kjo që bëj. Besoj që brenda meje është një sy që sheh përtej asaj që bëj dhe unë e pëlqej shumë kulturën indiane’’, ka thënë këngëtarja.

Klipi i fundit, ‘’Love me’’, po tërheq shumë vëmendje gjithandej në klubet shqiptare e më gjerë. Me këtë projekt, veç milionave në kanalin “Youtube”, Elvana ka arritur dëgjueshmëri edhe jashtë kufijve shqiptarë, duke u renditur në vendet e para në toplistën e këngëve më të dëgjuara në Monako.

Ajo ka treguar që xhirimin e videos “Love me” e bëri në Prizren, për të promovuar edhe këtë pjesë të trojeve shqiptare.

“Kam xhiruar në Prizren, pasi si sezon vere projektet janë në bregdet dhe është gjë e mirë se promovohet dhe bregdeti që bëja dhe unë dikur, e besoj se jemi një komb dhe doja të promovoj qytetin e bukur të Prizrenit se është shumë i bukur dhe ia vlen”, është shprehur ajo.

Duke treguar për idenë prapa realizimit të videoklipit “Love me”, Elvana ka thënë se ka vendosur të xhirojë në këtë idenë e telefonit, pasi që sot gjithçka bëjmë me telefon.