Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 16:56

Ajo mban një tatuazh të flamurit kombëtar shqiptar në kurrizin e saj, ndërsa ai lokalit të tij i vuri emrin e vendit të tij, prej nga kishte emigruar prej  dy dekadash. Në pamje të parë, aktorja hollivudiane Eliza Dushku dhe pronari i një lokali Leo Keka, duket sikur nuk kanë asgjë të përbashkët. Por ata e kanë një të përbashkët: që të dy me krenari e kanë përqafuar trashëgiminë e tyre shqiptare.

Të shtunën të dy do të bashkohen në lokalin e Leos, të quajtur Alba, ku Leo po organizon mbrëmjen e quajtur “Një mbrëmje nën yjet shqiptare”. Me këtë festë që do të organizohet në lokalin e tij, ata ftojnë të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me para për dokumentarin që Eliza Dushku po përgatit për Shqipërinë.

Sipas Kickstarter, Elizës i duhen edhe 60 mijë dollarë për të përfunduar punimet e të gjitha filmimeve që ajo bëri në Shqipëri përpara një viti.

Një vendalie e Watertown-it, Dushku që është mjaft e njohur për rolin e saj në serialin “Buffy the Vampire Slayer”, falë origjinës së babait të saj, vjet ka marrë edhe kombësinë e dytë, atë shqiptare.

Në dokumentarin që Eliza është duke përgatitur, ka për qëllim të fokusojë kamerat në kulturën, bukurinë dhe pasuritë e Shqipërisë.

“Jam mahnitur gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe gjithçkaje që më ka dëshmuar për krenarinë e vendit, qytetit të origjinës sime, Korçës, si dhe marrja e shtetësisë shqiptare”, është shprehur Eliza në intervistë për website-n Kickstarter.

Këtij projekti i janë bashkuar i dashuri i saj Rick Fox, fotografi Fadil Berisha dhe vëllai i saj Nate Dushku. Por tashmë këtij projekti i është bashkëngjitur edhe një shqiptar tjetër i Amerikës, i cili këtë herë nuk do të presë më në lokalin e tij politikanë të famshëm, por VIP-a dhe këdo tjetër që dëshiron të marrë pjesë për të ndihmuar Elizën në përfundimin e projektit të saj.

“Menjëherë si mora telefonatën e Elizës, pranova pa mëdyshje. Shqipëria është një vend aq i bukur dhe kjo është një mënyrë e mrekullueshme për t’ua bërë njerëzve të ditur,” është shprehur pronari i lokalit Alba, Leo Keka.

Festa do të organizohet këtë të shtunë nga ora 7 deri në 10 të mbrëmjes, ku do të ketë një bar të hapur, i cili do të shërbejë ushqime nga tradita shqiptare. Te interesuarit për të marrë pjesë në këtë mbrëmje, mund të kontaktojnë në adresën: germainemurphy@albaquincy.com. (LajmeShqip.com)