Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 14:12

Herë vjen si bareshë, e herë si dallëndyshe! Një dallëndyshe që vit pas viti kthehet në folenë e saj, aty ku vlerat e saj vokale marrin tjerë kuptim.

Kjo është Elina Duni, këngëtarja e muzikës jazz e cila këtë herë vjen në Tiranë së bashku me Kuartetin e saj, për të promovuar albumin “Dallëndyshe”. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Elina rrëfen arsyen se pse zgjodhi atdheun e saj për të nisur turin Ballkanik, aty ku herë pas here vjen dhe zgjon një tjetër dimension të krijimtarisë së saj.

Në këtë rrëfim, ajo na tregon se edhe albumi ‘Dallëndyshe’ përmban 12 këngë të vjetra shqipe, nga floku anembanë Shqipërisë, që i janë dedikuar mërgimit dhe dashurisë. Por, më e rëndësishme dhe emocionuese është se ajo për herë të parë do të këndojë shqip në mes të Beogradit.

Koncerti i turit Ballkanik nis nga Tirana, më datë 14 dhe 15 shtator në dy mbrëmje artistike. Koncerti do të mbahet në sallën e koncerteve te Katedralja Ortodokse në Tiranë.

“Dallëndyshe” është albumi i cili iu riktheu sërish në Tiranë. Pse pikërisht “Dallëndyshe”?

Dallëndyshe është një këngë arbëreshe e vjetër e cila tregon ikjen e arbëreshëve nga Peloponezi. Për mua ka qenë pika e nisjes pasi ky album përmban vetëm këngë mërgimi dhe dashurie. Këto janë dy tematikat e albumit që vazhdojnë të jenë shumë aktuale, derisa eksodi i shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon sot e kësaj dite.

Është ky një tur që në çdo skenë do të përcjellë një mesazh, duke u ndalur te ky eksod që na ka prekur edhe ne?

Nuk e di! Ndoshta dhe unë nuk kam të drejtë të bëj një mesazh për t’i thënë njerëzve ‘Mos ikni’ deri sa nuk jetoj në Shqipëri dhe jam një e mërguar për vete. Sigurisht që do të doja shumë që eksodi të kishte marrë fund dhe shqiptarët të jetonin në vendin e tyre. Eksodi është një shkulje, është diçka shumë e dhimbshme dhe kur mërgon ngelesh gjithmonë i huaj. Jeton në dy botë të ndryshme…unë nuk marr përsipër të bëj thirrje, por të tregoj se në të gjithë historinë tonë vazhdon i njëjti eksod, ndërsa përgjigjet them se duhet t’i gjejmë të gjithë bashkë.

Një album që sërish i qëndron besnik ritmeve folklorike. Kush do të jetë risia e këtij albumi ndryshe nga herët e tjera?

Ky album është një vazhdimësi me Kuartetin, është albumi i katërt me të. Ndryshe nga “Matanë malit”, albumi i parafundit i cili ishte më tragjik, ky album edhe pse i këndon temave të vështira siç është mërgimi ka diçka më të lehtë. Ka më shumë ritëm dhe tregon disi që dhimbja tejkalohet nëpërmjet muzikës. Dhe në fakt, muzika folklorike këtë gjë bën, të mëson se si ta tejkalosh dhimbjen përmes këngës ose valles. Në këtë album ka pjesë të Shqipërisë veriore, së mesme së jugut, Arbëreshe, Arvanitase të ndërthurura me jazz-in. Mund të them se në shtypin europian është kritikuar pozitivisht dhe me modesti e them që ka pasur shumë bujë.

Ritmet e jazz-it në Shqipëri dëgjohen shumë pak, për të mos thënë se muzika komerciale ka pushtuar tregun shqiptar. e ndjeni këtë fenomen kur vini në atdhe?

E shikoj si diçka shumë të dhimbshme dhe po synoj që në Tiranë të krijohet një jazz club ku i gjithë interesi nuk është që të shesësh birra, por edhe të dëgjohet muzikë e mirë. Por, për një nxitje të tillë duhen fonde: ose një mbështetje nga shteti ose një biznesmen që investon jo për shkak të fitimeve, por për të dhënë një kontribut në shoqëri për muzikën e mirëfilltë. Fatkeqësia është se të gjithë synojnë fitimin edhe pse është një fakt që kuptohet se Shqipëria është akoma në fazën e mbijetesës, prandaj ka dhe kaq shumë komercializim pasi ën botë kultura dhe arti janë shpesh të subvencionuar.

Një club jazz-i, projekti i radhës…?

Kjo do të jetë nisma e re dhe projekti i radhës në Tiranë, të cilin dua jo ta përvetësoj, por të jap një kontribut duke mbledhur një grup artistësh në një vend ku vlerat muzikore nuk shkojnë drejt komerciales. Le të shpresojmë se mund të krijojmë një oaz të muzikës ku të gjithë artdashësit të kenë një vend të zgjedhur për tu mbledhur, një vend ku këndohet muzika që duam jo që duhet, një vend ku mund të bëhen workshops, një vend ku të rinjtë të afrohen me vlerat e vërteta të muzikës.

E veçanta e këtij turi Ballkanik është se për herë të parë do të këndosh shqip në Beograd. Dallëndyshja do të flasë shqip në skenë?

Është shumë emocionuese! Në fakt, ky tur realizohet në bashkëpunim me festivalin Swiss Music Days i cili e ka qendrën tij midis Bienës në Zvicër dhe Beogradit. Kam një emocion të veçantë pasi nuk kam qenë asnjëherë në Beograd dhe për herë të parë do të këndoj atje shqip. Janë pikërisht këto lloj urash lidhëse të cilat, duhet të paktën ti tentojmë. Jam e emocionuar dhe shpresoj që do të vijnë disa miq nga Kosova që do të më mbështesin edhe pse Beogradi ka një kulturë të kahershme të muzikës jazz.

Pas turit, cili do të jetë destinacioni i Elinës?

Pas këtij turi ne do të vazhdojmë me shumë projekte… Në tetor do të luajmë në Zvicër, Francë, Gjermani, në nëntor jemi në London Jazz Festival, një festival ndërkombëtar shumë i njohur. Ndërkaq, në gjithë turin që do të zhvillojmë kemi nisur dhe filmimet për një dokumentar për Kuartetin dhe historinë e krijimit të tij. Do flitet mbi Shqipërinë, mbi muzikën dhe vlerat e vërteta, mbi karrierën time në këtë rrugëtim.

Çfarë po ndodh me karrierën tuaj në Zvicër?

Gjatë gjithë kohës jam në lëvizje, koncerte, festivale, dhe në të njëjtën kohë çdo gjë e organizoj vetë pasi bëj dhe rolin e menaxherit. Po gjatë kësaj kohe jam duke punuar për një spektakël solo, do të jetë një prezantim mbi mërgimin, një tematikë nga e cila nuk shmangesh dot dhe pikërisht më duhen disa muaj për të realizuar këtë projekt solo i cili do të fokusohet jo vetëm tek muzika, por do të ketë edhe aktrim, dhe do të jetë pra një spektakël gjithëpërfshirës.