Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 10:46

Femrat janë gjerësisht të kritikuara për zakonin e tyre të të ankuarit se nuk kanë asgjë për të veshur, kur në të vërtetë dollapi i tyre është duke shpërthyer nga rrobat.

Megjithatë, nuk do të ishte një çudi nëse një ankesë e tillë do të ishte e vërtetë, pasi sipas një studimi, dy në tre femra e mbajnë të mbushur dollapin e tyre të veshjeve me rroba që nuk i bëjnë më.

Sondazhi u krye duke pyetur shumë gra në vende të ndryshme në botë. Shumica dërmuese e vajzave apo grave të intervistuara pranuan se kanë shumë veshje që nuk u bëjnë më, por që nuk i hedhin me shpresën se do të rikthehen në masat e mbajtura dikur.

Duke u ndalur tek veshjet specifike, sondazhi tregoi se për një femër, veshjet nga të cilat ato ndahen me më shumë vështirësi janë fustanet e mbrëmjeve dhe xhinset, të cilat kanë gjasa të qëndrojnë në dollap “përjetësisht”, edhe nëse është evidente që nuk mund të vishen më.

”Mbajtja e veshjeve që nuk të bëjnë më është në gjendje që të krijojë probleme të rënda psikologjike”, paralajmëroi një psikologe, e quajtur Linda Papadoupulos.

Anketa u realizua me nismën e një shoqërie bamirëse, që përkrah dhënien e ushqimeve dhe veshjeve falas për vendet e varfëra.