Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 23:11

Tiranë – Këngëtarja Aurela Gaçe u ngjit e treta në skenën “Esprit Arena” në Duseldorf të Gjermanisë, duke performuar me energji “Feel the passion” në natën e parë të Eurovizionit.

Simboli i shqiponjës shqiptare dominonte si në veshjen e Aurelës, por edhe në grafikën e skenës, ndërkohë që zjarri dhe tymi shpërthyen në refrenin e këngës.

Teksti i Sokol Marsit, nuk u këndua nga Gaçe vetëm në anglisht, por një pjesë e refrenit ishte në shqip, duke shtuar kështu emocionet e shqiptarëve që ndiqnin direkt nga skena.

Gaçe u ngjit në skenë pas dy këngëtareve të tjera, konkurentes nga Polanda, që çeli Eurovizionin dhe asaj nga Norvegjia, një këngë që është vlerësuar shumë, ndërkohë që të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë mund të votojnë Aurelën në nr. 3.

“Feel the passion”, kompozuar nga Shpëtim Saraçi, u shoqërua nga tre back vokalist dhe nga Emiliano Dhima në bateri dhe Bledar Sejko në kitarë, ndërkohë që gjatë interpetimit në skenën e madhe të “Esprit Arena”, valviteshin flamurët shqiptarë.

Gaçe konkuron në këtë gjysmë finale të parë sëbashku me këngëtarët nga Greqia, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Gjeorgjia, Rusia, Polonia, Serbia, Kroacia, Hungaria, Portugalia etj.

Ndërsa në natën e dytë të Festivalit Europian të këngës do të ngjiten në skenë: Holanda, Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Qiproja , Austria, Suedia, Belgjika, Sllovakia, Moldavia, Izraeli, Maqedonia, Danimarka, Bjellorusia, etj.

Nga provat që Aurela ka bërë, kënga përfaqësuese e Shqipërisë është vlerësuar mjaft dhe sipas sondazheve ajo është pretendente për në finale.

Nga 43 shtete do të përzgjidhen vetëm 25 për natën finale të datës 14 maj, të cilat do të konkurojnë për çmimin e parë. Secili shtet që voton i zgjedh 10 shtetet më të votuara dhe i voton me 1-7 pikë, 8, 10 dhe 12 pikë. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse kanë të drejtën e votimit në finale edhe pse mund të mos marrin pjesë në të.

Këtë vit janë kthyer të konkurojnë në Eurovizion vënde si Italia që është tërhequr që prej vitit 1997, Austria dhe San Marino.

Aurela Gaçe është përzgjedhur për në Eurovizion nga edicioni i 49-të i Festivalit të Këngës në Radiotelevizion, ndërkohë që Shqipëria merr pjesë për herë të tetë në fëstivalin më të madh të këngës euqopiane pas këngëtarëve si: Juliana Pasha, Luiz Ejlli, Ledina Çelo, Kejsi Tola, Frederik Ndoci, Anjeza Shahini, etj.