Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 19:00

Tiranë – Institucioni martesor është kulti më i lartë për individin dhe pjesëtarët që jetojnë në të. Por, jo çdo martesë e ka një fund të lumtur. Rastet, kur çiftet i drejtohen Gjykatës për të zgjidhur ligjërisht kurorën e tyre, janë të shpeshta dhe konsiderohen si një dukuri e shoqërisë apo edhe si normalitet i saj.

Tirana, sigurisht që nuk bën përjashtim nga kjo dukuri. Gjatë vitit 2011-të,  në Gjykatën e rrethit Tiranë u regjistruan 800 raste divorcesh, me nje tendencë në ulje krahasuar me vitin 2010, kur u regjistruan 1 mijë raste.

Çfarë është divorci

E kontaktuar psikologia Manjola Baci, thotë se, divorci si një fenomen i shoqërisë, mbart në vetvete konflikt, pasiguri, thyerje ndjenjash, komunikimi dhe si përfundim marrëdhënia nuk funksionon më.

Divorci është një situatë që kalon nëpërmjet institucionit martesor, duke e përjetuar jo vetëm pjesëtarët,  por edhe komuniteti social, si ndryshim madhor në jetën e individit, pasi duhet një kohë e konsiderueshme për t’u rikuperuar dhe adaptuar me të.

Kur një familje kalon këtë proces jetësor, i cili është i paevitueshëm, tek anëtarët e familjes janë të predispozuar për t’u shfaqur ndjenja të forta zemërimi, ankthi, vetmie, depresioni, mungesë kuraje për t’u përballuar me situatën e ndodhur, thotë psikologia, Manjola Baci.

Disa nga arsyet e divorcit

Institucioni martesor është kulti më i lartë për individin dhe pjesëtarët e saj. Ndërkohë, krijimi i një të ardhme bazohet në krijimin e një familje të shëndoshë. Ajo përbëhet nga statusi ekonomik, përgjegjësitë morale e sociale si dhe përfaqësimi i një trashëgimie gjenetike. E ndërsa mundohet që të ruhet tradita për të pasur një familje të përjetshme, ajo edhe thyhet duke shkelur principet parimore siç janë mungesa e respektit, tradhëtia, dhuna verbale dhe jo-verbale, kumari dhe në fund papunësia.

Një arsye tjetër është disniveli arsimor midis çiftit, lidhjet në moshë të hershme dhe ato me shkuesi. “Mosbalancimi i mirë i këtyre komponentëve, çon drejt konflikteve”, thotë psikologia.

Por, nuk përjashtohet rasti i prishjes së martesës për arsye shpirtërore, si në rastet kur njëri nga partnerët është i dhunshëm, nuk ka dëshirë të jetë aktivë dhe organizues dhe kjo e bën jetesën e vështirë.

Nuk përjashtohet as mundësia jetike, mungesa ekonomike, e cila bën që mosprania e saj të prishë ekuilibrat, pasi kemi të bëjme me nevojat primare të një jetese të mirë.

Pasojat e divorcit

Ndarja ose e thëne ndryshe copëtimi i familjes, sjell trauma jo vetëm psiko-fizike, por edhe ekonomike. Individi në këtë ndarje vuan nga gjendjet shpirtërore, bëhet pasiv, refuzon ndihmën dhe rrezikon të shkëputet nga realiteti, vlerëson psikologia Manjola Baci.

Sipas saj, efektet negative të divorcit e vuajnë jo vetëm palët (bashkëshortët), por edhe fëmijët, të cilët janë të prekur nga simptomat traumatike. Ata janë pjesa më vulnerabël e kësaj dukurie, ndaj duhet t’u kushtohet vëmendje dhe të përgatiten për atë që po ndodh në familjen e tyre, pasi pasojat si dhuna fizike, psikologjike, lënë shenja që nuk mund të shlyhen lehtë.

Këshilla

Por, ashtu si për çdo gjë tjetër, edhe për dukurinë e divorcit, jepen këshilla. “Në marrëdhëniet në çift (familjare) çelësi i suksesit është komunikimi dhe forca bashkëpunuese, vlerëson psikologia Manjola Baci.

Para se të shkaktojmë një rrugë të gjatë vuajtjeje, me mundime që do të na duhet një kohë e gjatë për të kapërcyer, të përpiqemi të mbajmë një lidhje të qëndrueshme komunikimi, bashkëpunimi dhe harmonie. Të përpiqemi të ruajmë qetësinë, dëshira për të punuar dhe për të pasur sa më shumë aktivitet ndihmojnë për të ruajtur një shëndet të mirë psikologjik. Në marrëdhëniet në çift (familjare) çelësi i suksesit është komunikimi dhe forca bashkëpunuese.

Ky ritëm sjell dhe tejçon një rrymë pozitive për të pasur një jetë të shëndetshme, në të kundërt të kësaj nëse nuk kemi frymë bashkëpunimi nisin kështu kontraditat në familje.