Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 07:51

Dashuri të nisura në bankat e shkollave, në zyrat e punës, apo dhe në udhëtime të këndshme. Të kurorëzuara më pas me martesë dhe shumë shpejt, trashëgimtarët u kanë mbushur jetën me gëzim. Por me kalimin e viteve, duket se dashuria e tyre është venitur, pasioni është shuar dhe fëmijët nuk kanë mundur t’i mbajnë të lidhur. Bëhet fjalë për personazhe VIP të politikës, artit, kulturës apo muzikës. Ja kush janë VIP-at e divorcuar në vite:


EVA ALIKAJ
Të gjithë e kujtojnë vajzën çapkëne të komedisë “Pallati 176”. Eva Alikaj na befason gjithmonë e më shumë me rikthimet e saj të bujshme, me rolet e spikatura që merr përsipër të luajë. Por edhe ajo ka pasur momentet e saj të vështira, sidomos atë të ndarjes nga bashkëshorti i saj austriak. Fryt i kësaj martese është djali Xhino.

YLLI PANGO
Nje ish ministër i kabinetin “Berisha” është Ylli Pango. Ai shkoi drejt divorcit para dhjetë vitesh. Më pas, lidhja e tij me një studente, më pas pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, do të ishte në qendër të vëmendjes për disa kohë. Me sa duket, Pango dhe vajza simpatike nuk gjetën dot gjuhën e përbashkët, ndaj vendosën të ndaheshin.

FATOS NANO
Është një tjetër politikan që vendosi të trokasë në dyert e gjykatës, për t’u ndarë nga bashkëshortja e tij, Rexhina Nano, me të cilën kishte dy fëmijë të rritur dhe kishte ndarë jetën me të për afro 30 vjet. Divorci që u shoqërua me një zhurmë të madhe mediatike, erdhi në vitin 2001. Në skenë doli Xhoana Nano, një femër disa vite më e re sesa Nano, plot sharm e finesë, e cila brenda një kohe të shkurtër do të shkonte në altar me kryeministrin e asaj kohe.

DRITËRO AGOLLI
Prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, do të rëndonte shumë mbi supet e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, pasi në njëfarë mënyre ishte i detyruar të ndahej nga gruaja e tij ruse, të cilën e kishte njohur kur ishte student atje. Shkrimtari, që me penën e artë bëri shumë adhurues, u nda nga e shoqja me të cilën kishte një djalë. Por siç thotë një fjalë e urtë, “Plumbi me plumb del”. Agolli njihet me Sadijen, gruan me të cilën vazhdon të jetojë edhe sot. Me vajzën 21- vjeçare shkodrane, shkrimtari atëherë 32 vjeç, u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë. Dashuria mes tyre lindi pikërisht në atmosferën e dasmës dhe duket se po ajo dashuri vazhdon t’i mbajë të lidhur dhe sot, pasi gjithkund shkrimtari me kokën e zbardhur, shihet i shoqëruar nga e shoqja.

ARTA DADE
Deputetja e PS-së, Arta Dade është ndër të paktat femra të politikës që i shtohet listës së divorceve në vite. Për arsye që nuk u bënë kurrë publike, Dade, e cila ka mbajtur disa poste ministrore si, Ministre e Kulturës, apo e Jashtme, vendosi t’i japë fund martesës disavjeçare me Gëzim Dabullën. Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e vlerësuar edhe për bukurinë e saj dhe shijen në të veshur është nënë e dy djemve. Pas ndarjes nga bashkëshorti, ajo nuk ka tentuar të martohet asnjëherë.

ELI FARA
Është ndarë që në moshë të re. Nga martesa e saj me Luli Kapuranin pati një vajzë, të cilën e ka rritur pa baba. Vajza e këngëtares së mirënjohur korçare është studente për Juridik. Eli Fara jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe nuk ka nisur ende një jetë të re. Eli Fara vazhdon të mbetet një ndër ikonat e bukurisë, sharmante dhe e ëmbël, edhe pse i ka kaluar të 40-at.

YLLKA MUJO
Aktorja e mirënjohur Yllka Mujo, shumë e dashur për publikun shqiptar me rolet e saj të spikatura në filma të ndryshëm Ajo vendosi t’i japë fund martesës së saj me Haig Zaharinë duke mos u martuar më. Ajo vendosi të rrisë vetë dy fëmijët e saj, një djalë dhe një vajzë. Ndërkohë vajza e saj, Elia Zaharia e fejuara e Princ Lekёs, sot është për t’u admiruar, një këngëtare dhe aktore e mrekullueshme dhe që padyshim ka marrë shumë nga e ëma.

ELSA BALLAURI
Në vitin 2006, drejtoresha e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, vendos të ndahet nga bashkëshorti i saj, Viktor Basha. Elsa dhe Viktori kanë qëndruar së bashku për 22 vite me radhë, duke sjellë në jetë dy fëmijë. Kështu, të dy palët kanë vendosur të shkojnë drejt divorcit dhe kërkesa e tyre është firmosur nga gjykata.