Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 12:14

San Diego – Gjatë javës së kaluar u përfol shumë nga media amerikane se princi britanik Harry, pretendent i mundshëm i fronit mbretëror, ka kaluar një mbrëmje nën shoqërinë e një vajze misterioze në hotelin Marriott Courtyard, pranë plazhit Solana.

Pikërisht, pas pretendimeve se Harry ka kaluar mbrëmjen atje me brunen misterioze, interesi i klientëve për këtë ambient është rritur shumë. Për këtë arsye dhoma tek e cila ka ndenjur princ Harry, që ka një kosto prej 129 dollarësh natën, dhoma është emëruar si Royal Suite (suita mbretërore).


Është zbuluar se vajza që e ka vizituar gjatë mbrëmjes Harryn dhe se është larguar në ora gjashtë të mëngjesit, ka qenë vajza e tatuazheve, me emrin Jessica Donaldson. Por këto fjalë të nxjerra deri tani, nuk kanë ngjallur asnjë reagim ndaj familjes mbretërore. Një nga rojet e natës së hotelit, i pyetur nga gazetarët amerikan, ka treguar me gisht fotografinë e vajzës që i ngjante asaj që u paraqit në hotel, dhe ajo ishte Jessica Donaldson. Nuk ka qenë e vështirë të hamendësoheshin vajzat e mundshme, pasi një ditë më parë Harry ishte parë të festonte me disa vajza në një klub nate. E marrë në pyetje, Jessica Donaldson që thuhet të jetë në një lidhje tre vjeçare, nuk ka pranuar asnjë fjalë nga spekulimet duke thënë:
Atë natë kur ishim me shoqërinë në klubin e natës, Harry është treguar një kavalier i vërtetë dhe unë s’kam të bëj fare me histori të tilla. Më vjen vërtetë keq që disa fjalë shpërthejnë kot!

Ndërkohë që personazhet real të kësaj ngjarjeje të vërtetë apo jo, rrijnë pasiv, hoteli që ka strehuar princin atë natë, ka filluar planet për shndërrimin e dhomës nr. 202 në një suitë mbretërore. Zhurma e këtyre thashethemeve ka bërë që njerëzit e thjeshtë të kërkojnë pikërisht këtë dhomë për të kaluar mbrëmjet e tyre romantike. Menaxheri i përgjithshëm i hotelit ka thënë për MailOnline:

“Ne kemi vënë re rritje të kërkesave për të qëndruar në hotelin tonë, sidomos në atë dhomë! Kemi marrë shumë telefonata dhe kërkesa rezervimesh. Duke parë edhe kërkesat e klientëve që janë rritur këto ditë, kemi menduar që në brendësi të asaj dhome të ndërtojmë një ambient që t’i përshtatej një suite mbretërore. Por kjo është diçka që ne duam ta bëjmë thjeshtë nga dëshira jonë, pasi njerëzit mjaftohen me idenë që ajo ka qenë e njëjta dhomë, i njëjti shtrat që ka fjetur edhe Princ Harry.” (LajmeShqip.com)