Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 20:15

Zagreb – Një balenë 10-metërshe është vërejtur dje, në 150 metra nga bregu i qytetit kroat, Riekë, publikuan sot mediat kroate.

Sipas gazetës “Novi list” një banor lokal ka arritur rreth orës 8:30 ta fotografojë balenën, nga ballkoni i shtëpisë së tij.

Ekspertët nga Instituti për hulumtim detar “Bota e kaltër” konsiderojnë se kjo është balenë e llojit “fineale”, e cila jeton në Detin Mesdhe dhe ndonjëherë ndodh që të hyjë edhe në detin Adriatik.

Supozohet se kjo kafshë ka ardhur duke i ndjekur disa nga anijet e vogla, të cilat lundrojnë nëpër linjën e rregullt deri në Opati.

Ky lloj i balenës për herë të fundit është gjetur e ngordhur në veri të ishullit kroat Kërk. Ata jetojnë vetë ose në grupe të vogla deri në 100 kafshë. Ushqehen kryesisht me planktone dhe peshq të vegjël.

Finealja është e dyta për nga madhësia e kafshëve në botë, ndërsa më e madhe se ajo është “balena e kaltër”. Ajo mund të arrijë gjatësi prej 27 metrave dhe pothuajse 100 tonë peshë, ndërsa jeton më shumë se 80 vjet.