Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 14:18

E filloi karrierën muzikore shumë vrullshëm, sa që për një kohë të shkurtër Dafina Rexhepi arriti të renditet ndër këngëtaret më të pëlqyera në vend. E përmendur shpesh si vajza me zërin e ëmbël, ajo kohëve të fundit u largua nga skena, e krahas saj edhe nga mediat. Kjo ka ndodhur për shkak se vajza me përkushtim i është përveshur punës për tregun evropian. “Dafina momentalisht gjendet në Gjermani.

Atje është duke punuar intensivisht për disa projekte që do ta çojnë në treg Evropian. Dafina veçse ka filluar të incizojë këngët e reja, në plan e ka të vijë me një album ndërkombëtar. Por si fillim do t’i përfundojë tre këngë e më pas edhe të mendojë për album”, ka treguar për Tribuna menaxheri i këngëtares Kushtrimi, duke theksuar tutje se pavarësisht tregut muzikorë evropian për të cilin këngëtarja po punon, ajo asnjëherë nuk do të largohet nga skena kosovare.

“Jo nuk do të largohet nga skena kosovare, gjithmonë do të jetë e pranishme me ndonjë projekt, pavarësisht planeve të sajë të mëtutjeshme”.

Ndonëse jo shumë kohë më parë Dafina u paraqit me këngën më të re të titulluar ‘Tash’ të cilën e kishte plotësuar edhe me videoklip, Kushtrimi ka dhënë detaje edhe rreth kësaj kënge, ani pse si staf, ka pohuar se nuk janë ndarë të kënaqur me suksesin e këngës.

“Nuk jemi shumë të kënaqur me pritshmërinë e këngës. E dimë që tek ne më shumë po vlerësohet ‘Turbo folku’, por jo zhanri ‘Rnb’ që Dafina e bën. Andaj edhe e kemi pritur këtë gjë”. Meqenëse ky është fakt dhe shumë këngëtar kanë kaluar nga ky trend, për shkak të famës dhe të ardhurave më të mira, menaxheri i Rexhepit ka nënvizuar se një gjë e tillë nuk do ta praktikojnë asnjëherë.

“Asnjëherë nuk do t’i bashkëngjitet këtij tregu Dafina. Ajo nuk bën muzikë për famë e para. Bënë muzikë sepse e do. ‘Rnb’ është zhanri që ajo e pëlqen dhe me këtë zhanër do të vazhdoj, pa u përzier me këto bashkëpunime që kohëve të fundit po i shohim”, theksi për fund kushtrimi, menaxheri i këngëtares.