Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 11:33

Reputacioni i aktorit George Clooney me miqtë e tij për të shkëmbyer shaka pa kripë, janë me nam. Në një intervistë për revistën “Parade” ai ka rrëfyer:

“Miqtë e mi janë shumë të rrezikshëm me shakatë e tyre. Brad Pitt dhe Matt Damon janë gati brutal. Ata shpesh herë më manipulonin dhe më ndryshonin mesazhet e celularit që i kisha dërguar njerëzve; i ndryshonin ato në tekste mjaft të tmerrshme dhe gjëra vërtetë të pathëna. I ndryshonin në një mënyrë të tillë sa më vinin në siklet … E megjithatë ishin shakara fantastike!”

Si një njeri mjaft shakaxhi, ai thotë se njeriu duhet të tregohet i duruar për t’ia arritur qëllimit që shakaja e tij të ketë efekt.

“Unë dikur kam bërë një shaka, që më pas janë dashur vite për ta zbuluar… Pashë një pikturë në koshin e plehrave, e mora; bleva një kambalec pikture dhe disa bojra. Kur një nga miqtë e mi më të mirë (aktori Richard Kind) më vizitoi në shtëpi, ja mbusha mëndjen se kisha filluar të studioja për pikturë dhe ai filloi ta pëlqente shumë pikturën time… Dhe kur ai festoi 40 vjetorin unë i dhurova këtë pikturën e tmerrshme, të cilën ai e vari me mjaft krenari në mur, duke i thënë njerëzve se shoku i tij i ngushtë e kishte pikturuar enkas për të. Dhe për vite me radhë, njerëzit që e vizitonin në shtëpi detyroheshin të thonin për atë pikturë të tmerrshme “Qënka një pikturë e bukur!”. Dhe Richardi u bind me të vërtetë se ishte një pikturë e bukur… deri sa një natë, gjatë një interviste në një program televiziv, i zbulova të vërtetën. Menjëherë mbas saj më mori në telefon dhe më tha “E urrej atë pikturë!”.

Megjithëse Clooney me shumë sportivitet i tregon historitë e shakave të tij, kur vjen çështja në jetën personale, goja e tij kyçet si me dryn.

“Unë nuk merrem as me internetin dhe as me rrjetet sociale, si Facebook apo Tweeter. Mendoj se njerëzit kanë informacione më shumë se ç’duhet për ne, prandaj më pëlqen gjithnjë e më shumë ideja për të ruajtur jetën private. Për mua do të ishte qesharake po të merrja për bazë lajmet që qarkullojnë nëpër këto rrjete. Me siguri që do të lexoja ndonjë gjë që e kam thënë dikur, diku për ndonjë grua, ndërkohë që unë personalisht për jetën time private kam 15 vite që nuk them asgjë.”