Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 10:15

Krahas projekteve muzikore solo, bashkëpunimet muzikore prej kohësh janë në trend si në skenën ndërkombëtare, e po ashtu edhe në atë vendore.

Kemi pasur rastin të shohim këngëtarë të shumtë që kanë bashkuar forcat për të sjellë diçka interesante e ndryshe. Disa ia kanë arritur, madje ia kanë qëlluar fort, e disave nuk iu ka ecur as kjo formulë.

Bashkëpunimet shihen edhe si mundësi e mirë për emrat e rinj që të depërtojnë në skenë nëse në krah kanë një emër të njohur dhe të suksesshëm. Ajo çfarë kemi parë në skenën muzikore, e sidomos kohëve të fundit, janë edhe bashkëpunimet mes këngëtarëve të zhanreve krejtësisht të ndryshme, që fare nuk shkojnë mes vete sa i përket vokaleve të tyre. Por, kjo duket qartë se bëhet pasi kështu po i pranon tregu.

Emisioni “Express Summer” i KTV-së ka listuar disa emra të cilët janë më të kërkuarit ndër këngëtarë për duete.

Për t’u ndalur te disa emra, të cilët i shohim më shpesh nëpër duete, padyshim se kësaj liste i prin hip-hop artisti Ghetto Geasy. Ani pse edhe projektet e tij solo gjithmonë janë të suksesshme, duetet e Getit janë të vazhdueshme me këngëtarë, këngëtare e grupe shqiptare. E padyshim se sukseset e vazhdueshme duket se po e bëjnë atë ndër këngëtarët më të kërkuar për bashkëpunime.

Disa nga bashkëpunimet e Getit dhe Tingullit të 3nt me të tjerët janë ai me Elvana Gjatën në këngën “Të dy”, me Soni Malajn “Më merr”, “Dridhe” me Çiljetën, “Baby” me Flori Mumajesin, me NRG Band-in “Ta du majmunin”, disa të tjera me Tunën, dhe së fundmi me Luana Vjollcën në “Tirana Lifestyle” dhe Majkun “S’jena mo”. E ky i fundit dëshmoi edhe njëherë se aty ku është Geti, suksesi është i garantuar, e nëse jo të paktën do të përflitet. E kur jemi te kjo pjesë, diçka interesant është se pothuajse me një pjesë të mirë të këngëtareve, me të cilat Geti ka bashkëpunuar është përfolur edhe për ndonjë lidhje romancë me to. Disa ishin konfirmuar, e të tjera kishin mbetur vetëm si thashetheme.

Një emër tjetër shumë i kërkuar është edhe kantautori shqiptar, Flori Mumajesi. Disa nga emrat me të cilët ka realizuar duete Flori janë: Elvana Gjata, Fugga, Kaos, Soni Malaj, Klajdi Haruni, Kthjellu, Labinot Tahiri, 2PO2 e Argjentina Ramosaj. Këto dhe shumë të tjera kërkesa tregojnë se edhe Flori, pavarësisht konkurrencës, vazhdon të mbetet nga ata që prodhon hite, gjë të cilën e pretendon çdokush në skenën muzikore.

Nuk ka se si të mungojë MC Kresha. “Lej flleshat” ishte padyshim një fillim i mbarë për këtë rep-artist, i cili e shndërroi atë në një ndër më të kërkuarit edhe nga të tjerët për të realizuar ndonjë këngë së bashku. Bashkëpunimet që u kthyen në hite janë: MC Kresha & Lyrical Son “Me ta pyl”, ai me Elvana Gjatën “1990”, “Çele çadrën” me DJ Flow, Lumi B, Lyrical Son, “Rikthejmë na “ me Kidën, “As ni zo” me Nora Istrefin e “Kush o mama” me Lenora Poloska. Kresha ka pasur edhe shumë duete të tjera, si me Aurela Gaçen, Rozana Radin e Dafina Rexhepin.

Do ta përmbyllim këtë listë me Young Zerkën. Që nga dueti i parë me Dhurata Dorën, Zerka filloi të kërkohej shumë nga të tjerët, pasi ishte një prurje e re dhe interesante. Kështu, pos Dhuratës, ai u pa në bashkëpunim me Alban Skënderajn e Aurela Gaçen dhe shumë të tjera pritet të vijnë në vazhdim.

Përveç emrave të lartpërmendur, ka edhe të tjerë të cilët shumë shpesh po i shohim në këngë bashkëpunime, e që prijnë reperët. Kaos, Mozzik, Skivi, Ledri, Capital T, DJ Blunt e Real 1 janë disa nga ta.