Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 12:23

Belbëzimi fiziologjik është përsëritja e fjalëve të para të rrokjeve apo edhe fjalës gjatë të folurit. Për herë të parë vihet re rreth moshës 2 dhe 5, kryesisht ndërlidhet me periudhën e zhvillimit të të folurit. Belbëzimi që shfaqet në këtë moshë është vetëm pasqyrim i planit mendor dhe atij verbal. Prandaj ky lloj belbëzimi quhet belbëzimi fiziologjik.

Ky lloj belbëzimi vjen si pasojë e zhvillimit intensiv të të folurit. Përgjithësisht ngjan me belbëzimin e vërtetë, por ama mund të jetë një fazë që kalon.

Vetë e folura e fëmijës në këtë periudhë nuk është e rrjedhshme për shkak të proçeseve të shumta që janë në zhvillim e sipër.  Ata për herë të parë përballen me shumë fjalë dhe kuptime të ndryshme të tyre, me dukuri abstrakte, kuptimin e të cilave duhet që së pari ta kuptojnë, në mënyrë që pastaj ta përdorin në të folur në mënyrë adekuate.

Kjo periudhë është gjithashtu koha kur: fjalitë dhe gramatika fillojnë të përdoren më mirë, kur zëri është në fazën e pjekurisë dhe të zhvillimit, të ndërrimit të mendimeve nga njëri tek tjetri pa pasur mundësi të shprehin idenë themelore.

Kjo periudhë karakterizohet gjithashtu nga aspekti i zhvillimit të pamjaftueshëm i vëmendjes dhe përqendrimit, i shoqëruar me sjellje impulsive shpesh herë me forma të negativizmit pasiv (kur fëmija refuzon ndonjë urdhër) dhe negativizmit aktiv (kur fëmija bën të kundërtën e asaj çfarë i kërkohet).

Me stabilizimin e këtyre funksioneve, stabilizohet edhe rrjedhja e të folurit. Por, në mënyrë që nga kjo fazë të dilet pa komplikime të mundshme, është e rëndësishme që prindërit të kuptojnë se si të veprojnë në mënyrën e duhur me fëmijët e tyre. Roli i familjes dhe sjellja e rrethit shoqëror janë vendimtare në zhdukjen e belbëzimit fiziologjik. Injorimi i vështirësive momentale të fëmijës në të folur, në këtë periudhë, është gjëja më e mirë që mund të bëjnë prindërit për fëmijën e tyre.

Shumica e prindërve dhe e edukatoreve gabojnë kur një të folur të tillë e emërtojnë bëlbëzim dhe fillojnë të flasin para fëmijëve për problemin e tyre, i korrigjojnë, mbase edhe tallen me mënyrën se si fëmija flet, apo përqeshet edhe nga fëmijët e tjerë. Pikërisht kjo fazë është kyçe për këtë lloj belbëzimi. Me këtë qëndrim të gabuar nga ambienti rrethues, këto sjellje të belbëzimit fiziologjik nuk tërhiqen, por thellohen dhe zhvillohen në belbëzim të vërtetë, e shprehur në forma më të rënda.

Meqë ekzistojnë lloje të shumta të belbëzimit, me rendësi është të theksohet se nga belbëzimi fiziologjik, i cili nuk trajtohet në mënyrë të drejt, zakonisht shfaqen të gjitha format e tjera të belbëzimit, përveç atij traumatik. (LajmeShqip.com)