Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 16:16

Londër – Kryeministri britanik David Cameroon i kërkoi falje kamerieres italiane e cila javën e kaluar, në një deklaratë për gazetat londineze, e kritikoi politikanin britanik se është “koprrac”, pasi që nuk i ka lënë bakshish, në kafenenë ku punon ajo.

Lajmin e publikuan shumë medie mbarë botën, prandaj Cameroon, i cili me familjen e tij, për dy javë ndodhet në pushim në Itali, në provincën Toskana, në një vilë private, duke paguar për pushimet mbi 11 mijë funta, vendosi të kthehet në qytetin Montevarki, në afërsi të Arecos dhe ta përmirësojë gabimin. Kësaj radhe porositi birrë për vete dhe lëng për vajzën dhe gjatë pagesës së llogarisë, la bakshish më shumë se katër euro, për llogarinë prej 5,5 eurove.

Kamerieres Franceska Ariani i kërkoi falje për “lëshimin” e mëparshëm, në dobi të përgjithshme për pronarin e kafenesë që, për shkak të ngjarjes me Cameroonin dhe kamerieren, u bë edhe gjithandej e njohur dhe akoma më e vizituar nga turistët.

Kameron javën e kaluar porositi me bashkëshorten dy kafe, por kur ka kërkuar që t’i sillen ato, kamerierja Ariani ftohtë i është përgjigjur se është shumë e zënë, dhe do t’i duhet vetë të shërbehet. Më vonë ajo është arsyetuar se nuk e ka njohur mysafirin, por i ka bërë vërejtje se llogarinë prej 3,5 euro e ka paguar me bankënotë prej 50 eurove dhe se “nuk ka lënë bakshish, edhe pse kishte dëgjuar se është njeri i pasur”.

Kafeneja në Montevarki tani u ofron mysafirëve koktej të bërë special, i cili shitet nën emrin “Cameroon”.