Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 16:15

Lajme të mira vijnë për të gjithë prindërit që kanë vetëm një fëmijë dhe ndihen në faj përse nuk i kanë dhënë një vëlla/motër trashëgimtarit të tyre të vetëm. Sipas një studimi anglez, ata kanë bërë shumë mirë.

Një nga studimet më intensive, të kryera pikërisht për këtë arsye, ka treguar se sa më pak vëllezër dhe motra të ketë familja, fëmija është më i lumtur dhe i kënaqur. Zënka, rivaliteti, gara për vëmendjen që marrin nga prindërit, janë shkaqet kryesore që i bën fëmijët të mos jenë të lumtur plotësisht, ose që e vështirëson jetën e tyre.

Kjo është një gjëndje tensioni që mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve, duke bërë që kur të rriten të kenë probleme me sjelljen dhe depresionin, gjë që ka pasoja negative edhe për prindërit, duke krijuar një gjendje stresi dhe krize në harmoninë e tyre.

Pasi janë vëzhguar nga afër jetët  e 100 mijë personave, pjesë e 40 mijë familjeve, agjencia qeveritare britanike “Social Research Council” ka përmbledhur një raport që do të publikohet në ditët në vazhdim, por që u zbulua para pak kohësh nga “Observer” i Londrës.

Të dhënat lidhur me fëmijët janë fryt i pyetësorëve shumë të detajuar të plotësuar nga 2500 të rinj dhe të analizuar nga instituti për studimet ekonomike dhe sociale të universitetit të “Essex”-it. Ja se cilat janë shifrat: 54 % e fëmijëve ankohen për forma të vazhdueshme të sjelljeve agresive fizike apo verbale nga ana e vëllezërve apo motrave.

Thuajse 30 % pranojnë se vëllezërit apo motrat i thërrasin me emra të shëmtuar dhe shpesh nuk u thonë fjalë të bukura; 17.6 % ankohen sepse vëllezërit dhe motrat ju marrin lodrat dhe gjërat e tyre, që jo vetëm i përdorin, por edhe i shkatërrojnë. Një tjetër faktor i pakënaqësisë është edhe gara për të pasur vëmendjen e prindërve.

Sipas këtij kërkimi, në përgjithësi niveli i lumturisë bie në varësi të numrit të vëllezërve apo motrave në familje. Studimi në fjalë dhe kërkime të tjera për të njëjtën temë, komenton Dieter Wolke, profesor i psikologjisë së fëmijëve në “Warwick University”, ilustrojnë edhe aspektet pozitive të të pasurit një vëlla apo një motër si për shembull mbështetja reciproke që mund të jepet në momente të vështira.

Por mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes vëllezërve, shton eksperti, rrisin stresin për fëmijët, disa prej të cilëve heqin dorë nga ndërhyrja për të zgjidhur konfliktet mes tyre duke e lënë gjendjen e nderë”. Këtë  e konfirmon edhe Siobhan Freegard, themelues i “Netmums”, një prej faqeve më popullore për bisedat mes nënave:

“Shumë prindër përfundojnë duke bërë arbitrin për të sjellë paqen në familje. Është një rol i lodhshëm. Me një fëmijë të vetëm këto gjëra nuk ndodhin”.

Në të kaluarën ishin fëmijët e vetëm që konsideroheshin si më të turpshëm, më të heshtur dhe më të mbyllur në vetvete në krahasim me fëmijët e tjerë që kishin në shtëpi motra dhe vëllezër. Por kjo nuk është më e vërtetë, tregon Freegard, duke cituar të dhënat e Universitetit të Essex-it.

“Shumë fëmijë të vetëm sot janë të hapur, të sjellshëm, të shoqërueshëm, kanë besim në vetvete, janë më të shkathët për të bërë miqësi të reja në shkollë, në parqe apo me pushime. Duken vërtet fëmijë të lumtur”. (LajmeShqip.com)