Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 19:30

Tiranë – Ajo është një ndër femrat më të lakuara në faqet rozë, madje së fundmi edhe shtypi ndërkombëtar ka nisur të shkruajë për të. Lidhur me propozimin e bërë pardje nga Kryeministri për hartimin e një projektligji kundër medias rozë, me synim ruajtjen e jetës private të personazheve publike, ka reaguar këngëtarja Bleona Qereti.

Ajo është një ndër femrat më të lakuara në faqet rozën dhe megjithëse me një eksperiencë të gjatë jete në Amerikë, ku sigurisht ka parë se ç’bëjnë gazetarët rozë për personazhet e showbizit, Bleona i del në krah kryeministrit në këtë nismë, duke cituar edhe një emër mes rreshtave. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Bleona Qerreti pohon se Arian Çani është emri i një prej gazetarëve, që sipas Bleonës abuzon më së shumti me pushtetin që i ka dhënë media.

“Unë mendoj që kryeministri Berisha ka shumë të drejtë! Ai është një njeri me një vizion të pakrahasueshëm me asnjë tjetër. Unë kam qenë gjithmonë simpatizante e tij, që kur kam qenë fëmijë dhe këndoja në koncertet e vitit ’96. Kjo simpati midis meje dhe kryeministrit sa vjen e bëhet më e fortë dhe solidarizohet më shumë në çdo fjalim apo mbledhje qeverie, takim ose koncert. I adore and I love Sali Berisha!” ka përfunduar ajo.

E pyetur më tej nga gazetari i “Gazetës Shqiptare” përse mendonte që kryeministri ka të drejtë, ajo është përgjigjur:

“Kryeministri ka të drejtë sepse njerëz si Arian Çani ka ardhur koha të gjejnë profesion tjetër, jo të marrin rrogën duke njollosur gjithë dynjanë e të mos mbajnë përgjegjësi. Duke qenë se unë gjithmonë kam pasur marrëdhënie fantastike me mediat, nuk dua që gazetarët e tjerë të më keqkuptojnë. Janë të paktë në numër shokët e Çanit.”