Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 12:57

Kjo verë për Justin Bieber është më e nxehtë nga sa duhet. Këngëtari kanadez është përfshirë në një seri incidentesh të njëpasnjëshme që “rrezikojnë t’i shkatërrojnë karrierën”.

Aktori Mark Wahlberg, e kaluara e të cilit nuk ka qenë më e qetë, i bëri thirrje Justin Bieber, me të cilin ka njohje personale, që të sillet mirë dhe të bëjë krenare nënën e tij.

“Justin, mos u bëj i praptë! Bëhu një djalë i mbarë, ngriji pantallonat, bëjë nënën tënde krenare për ty, dhe më e rëndësishmja, ndalo së tymosuri bar (hashash), ti bastard i vogël”, deklaroi ai për The Sun. 
Megjithatë aktori 42-vjeçar nuk pranoi të heqë një paralele mes viteve të adoleshencës së tij dhe Bieber. “Ai është adoleshent që jeton në kohëra të tjera. Unë kam qenë në burg dhe nuk mendoj që Justin ka qenë atje. Megjithatë, Bieber duhet të ketë kujdes me karrierën e tij sepse po merr një spirale të rrezikshme”, tha ai, raporton Top Channel.

Aktori dhe producenti pranoi se ka patur në mendje një projekt për ta përfshirë Justin Bieber në një film ku do të luanin së bashku, por shtoi se për momentin ky projekt është lënë pezull, pikërisht për shkak të këtyre problemeve të këngëtarit.

Wahlberg ka patur një rini të vështirë. Para se të ndryshonte dhe t’i përkushtohej aktrimit, ai ka provuar muzikën si reper. Gjatë këtyre viteve është përfshirë në zënka të shumta dhe konsum lëndësh narkotike dhe rastet kur ka përfunduar në prangat e policisë së Bostonit janë me dhjetra.