Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 11:48

-Katër balerinë zviceranë kanë “shokuar” dje art dashësin durrsak, kur kanë interpretuar krejtësisht lakuriq në skenë. Shfaqja e tyre, prej 30 minutash, ka qenë surprizë për të 300 spektatorët, shumë syresh artistë. Ka qenë pikërisht trupa e Jozsef Treffeli “JINX 103” nga Zvicra, që ka ngritur siparin e edicionit 8-të i “Albania Dance Meeting”, Festivali Internacional i Dansit Kontemporan. Ndërsa në skenë kishte katër balerinë, dy prej tyre qenë plotësisht nudo, e dy të tjerë topless. Ndërsa në sallë kanë shpërthyer të qeshurat, trupa ka vijuar performancën, që përfshinte numra të ndryshëm të baletit kontemporan. 

Festivali 
Festivali në fjalë, prej vitesh ka krijuar traditën e tij në Durrës, duke mbledhur rreth vetes trupat më të mira nga vendi dhe bota. Sivjet ai zhvillohet mes shumë vështirësive financiare. Pas performancës së trupës zvicerane, trupa italiane u prezantua me “Brainstorming-studio n.2”, për të vijuar më pas edhe me të tjera shfaqje nga trupa, si ajo hungareze që vjen me “The way my father imagined it all”. 
Drejtori i këtij festivali, koreografi i njohur Gjergj Prevazi, në fjalën përshëndetëse deklaroi se në edicionin e tetë ka më pak shfaqje se herët e tjera dhe jo të natyrës garuese, pasi ky aktivitet ka qenë i braktisur nga ndihma e financiare kur është kërkuar pranë Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. 

“Këtë vit programi i festivalit është konsiderueshëm i reduktuar, janë vetëm dhjetë shfaqje, por kemi zgjeruar gjeografinë e qyteteve, për arsye të mungesës së financimit nga QKAK. Prevazi thotë se këtë vit do të performojnë 5 trupa, dy nga të cilat nga Italia, si dhe nga Hungaria, Zvicra dhe Shqipëria. Nga 8 tetori deri më 6 dhjetor ato do të japin 10 shfaqje jo vetëm në salla teatrore, por edhe në sheshe e shëtitore. 

“Qendra Multimedia në Prishtinë, teatri ‘Andon Zako Cajupi’ në Korçë, salla e Universitetit të Tiranës, teatri ‘Moisiu’ në Durrës, si dhe shëtitorja pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë do të jenë pikat e takimit me spektatorin e pasionuar të gjinisë së Dance Theatre”, pohon drejtori Prevazi. Por vazhdimësia e festivali bëhet e mundur falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në Tiranë, “Gëte Institut”, fondacionit “Pro Helvetia”, etj. Sipas tij, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka ofruar pa pagesë këtij eventi Teatrin “A.Moisiu” së bashku me infrastrukturën dhe personelin e nevojshëm. Festivali “Albania Dance Meeting-Festival” është një projekt unik në vendin tonë, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende një veprimtari të ngjashme. Pjesëmarrës në vitet e shkuara kanë qenë trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj./bw/