Los Angeles – Aktori amerikan Alec Baldwin është dëbuar nga udhëtimi i linjës American Airlines për shkak të një incidenti të ndodhur në aeroplan, pas insistimit të tij për të luajtur me iPhone-n e tij.
53 vjeçari është fotografuar teksa priste orarin e udhëtimit tjetër më të afërt në aeroportin LAX, për të fluturuar drejt shtëpisë së tij. Atij i është dashur të presë një biletë tjetër udhëtimi pasi u dëbua nga linja që ishte parashikuar të fluturonte.
Sipas burimeve të tabloidit TMZ, aktori ka hasur vështirësi me personelin e aeroplanit, i cili i ka kërkuar të ndërpresë lojën e tij në iPhone. I irrituar nga kjo gjë, ai është ngritur dhe drejtuar për nga tualeti për të vazhduar lojën e nisur. Por përplasja e derës së tualetit, ka qenë aq e madhe sa ka shqetësuar pilotin, i cili ka urdhëruar menjëherë të kontrollohej se çfarë kishte ndodhur në pjesën e mbrapme të aeroplanit.
Mbas kësaj atij i është kërkuar që të zbresë nga avioni për shkak se po prishte qetësinë.
Menjëherë sa ka zbritur nga avioni ai ka postuar një koment ironik në profilin e tij në Twitter, koment për stafin e linjës ajrore.
Pas kësaj ngjarje ai ka marrë udhëtimin tjetër ajror dhe ka mbërritur në destinacion pa incidente të mëtejshme. (LajmeShqip.com)