Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 05:14

Nё gjyqin kundër doktorit tё tij Murray do tё pёrdoren edhe analizat e autopsisё.

Fotot e autopsisë së legjendës së muzikës pop Michael Jackson do t’u tregohen anëtarëve të jurisë në gjyqin ndaj doktrorit që akuzohet se ka shaktuar vdekjen e tij. Legjenda e popit u nda nga jeta në qershor të vitit 2009, për shkak të një mbidoze anestetiku të fuqishëm, të administruar nga mjeku i tij. Ndёrkohё nga ana e tij doktori Conrad Murray është vetëdeklaruar i pafajshëm nё lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të. Ai ka deklaruar se po e mjekonte këngëtarin për pagjumësinë.

Por nё rastin konkret do tё merren fotot e autopsisё tё Jacksonit si provё kundra doktorit qё vetёdeklarohet i pafajshёm. Vendimi është marrë nga gjykatësi i Los Anxhelosit, Michael Pastor, i cili ka mbështetur prokurorët e çështjes, që thanë se fotot do të vërtetojnë se Jackson ka qenë i shëndetshëm para vdekjes.

Në një nga fotot që do t’i tregohet jurisë, trupi i pajetë i këngëtarit shfaqet i shtrirë në një tryezë ekzaminimi, i veshur me një këmishë spitali. Ndërsa në një tjetër, ai shfaqet pa rroba dhe me pjesë të trupit të errësuara. “Megjithëse fotot duken tragjike, ato nuk janë të frikshme apo të gjakosura” ka deklaruar zëvendësprokurori David Walgren.