Lajme Shqip Thursday, 03 September 2015 08:29

Aurela Gaçe nuk i harron ata që e kanë mbështetur vazhdimisht në karrierën e saj.

Duke u kthyer prapa në kohë, këngëtarja e njohur ka kujtuar koncertin e saj të parë recital dhe mbështetjen që kishte hasur nga kantautori shqiptar, Ardit Gjebrea.

 “1998. Mbas koncertit tim të parë recital live me një mik që më mbështeti me praninë e tij në Pallatin e Koncerteve. Megjithëse në hapat e mi të parë, ai më mbështeti ashtu siç mbështet këdo që punon. Një dorë që zgjatet pa kursim për ata që e duan punën, sepse ai vetë punon shumë. Ardit Gjebrea, respekt. Vetëm një kemi si ai”, ka shkruar këngëtarja në rrjetin social, Instagram.

Kujtojmë se kohë më parë, Gaçe kishte treguar një ngjarje që i kishte ndodhur në vitin 2001, kur dikush e kishte goditur me grusht dhe i kishte marrë telefonin.

Këngëtarja e njohur ishte goditur nga një i ri 18 vjeç nga Vlora, duke e lënë atë pa ndjenja. Nëpërmjet “Facebook”-ut, Aurela pati bërë të ditur se ngjarja kishte ndodhur para Festivalit të RTSH-së, ku ishte pjesëmarrëse, dhe se kolegët e saj ishin gëzuar, pasi mendonin se në garë do të kishin një konkurrente më pak. “U ngjita në atë skenë në të tri netët me sy të nxirë deri sa rrëmbeva edhe çmimin e parë, por më pas kolegët e mi u hidhëruan pa masë”, kishte shkruar ajo pos tjerash.