Lajme Shqip Sunday, 23 August 2015 10:20

Ajo është një nga femrat më seksi të skenës që, përveç talentit, ka bërë emër edhe falë fizikut të mrekullueshëm që e ka shfaqur që në fillim të karrierës së saj. Ndonëse e re kur nisi me muzikën, jeta e saj private nuk ishte shumë e përfolur, por më vonë duke e parë se suksesi për median rozë qëndron pikërisht te lidhjet e jo vetëm te projektet, këngëtarja ndryshoi mënyrën e qasjes ndaj publikut.

Një nga lidhjet më të përfolura të saj ka qenë romanca me Lorik Canën, e cila u bë histori rozë, por shpesh edhe nuk besohej për faktin se që të dy nuk e pranonin, edhe pse ishin bashkë.

E veçanta e kësaj historie ishte se deri më tani nuk janë publikuar foto të tyre bashkë. Pas kësaj lidhjeje, Adelina qëndroi një kohë të gjatë single për t’u lidhur më pas me Rolando Sufon, ish-të dashurin e Anjeza Brankës. Ata u fejuan e më pas u ndanë për një kohë shumë të shkurtër, dhe Adelina filloi shoqërinë me një basketbollist nga Kosova, Dardan Berisha.

Por çfarë tregon këngëtarja për lidhjet e saj?

 “Unë kam pasur lidhje që i kam publikuar vetë, me një djalë nga Shqipëria, ka qenë e vetmja lidhje e imja që unë e kam bërë publike, por jam penduar që e kam bërë publike, sepse nuk kam qenë e gatshme për atë lidhje. Me Lorikun kam qenë shumë e vogël kur unë kam pasur një simpati, me Dardanin kemi dalë bashkë, ne jemi pëlqyer, por qëllimi nuk ka qenë që të jemi shokë, por nuk arriti aty ku deshëm ne, më vjen keq që u keqpërdor privatësia ime’”, kështu i përshkruan dashuriçkat e saja këngëtarja Tahiri, e cila për momentin është beqare.