Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 12:13

Megjithëse vitet kanë kaluar, zemra e saj nuk heq dorë nga djali që e frymëzoi të shkruante këngë të mrekullueshme.
Adele, këngëtarja që ka pushtuar majat e klasifikimeve muzikore, ka rrëfyer se do bënte gjithçka që të rifitonte të dashurin që e frymëzoi për albumin e saj ‘21’, album i cili theu rekord të shitjeve.

Këngëtarja zemërthyer, që për momentin po përballet me vështirësi të kordave të saj zanore, ka rrëfyer:
“Është diçka e hidhur sepse unë nuk do të hiqja dorë nga ky sukses për asgjë në botë, por në të njëjtën kohë do të kisha bërë gjithçka që të isha me të. Është e vërtetë, e ndjej mungesën e tij. E kam të vështirë kur i këndoj këto këngë, pasi më kujtojnë se sa mrekullisht mirë ishim bashkë kur ishim mirë, por edhe se sa keq ishim kur gjërat po përkeqësoheshin.”

Fituesja e çmimeve Grammy, Adele 23 vjeçare, ka thënë se të kënduarit e këngës “Someone Like You” i sjell kujtime të dhimbshme nga ish i dashuri i saj anonim.
Për revistën amerikane “US” ajo ka thënë: “Edhe tani, që kanë kaluar kaq vjet, emocionohem kur e këndoj. Ajo ka qenë kënga më e sinqertë që kam shkruar.”

Para pak kohësh ajo ka dhënë një intervistë duke thënë se atij i ishte mirënjohëse, pasi ai kishte qenë frymëzimi i këtij albumi që asaj i dha këtë sukses. “Në qoftë se nuk do të kishte qenë ai, unë nuk do të isha sot këtu ku jam. Kjo gjë është falë tij dhe unë shpresoj që ai ta ketë falur veten për çfarë ka kaluar, pasi unë e kam falur atë,” ka thënë ajo. (LajmeShqip.com)