Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 14:00

Udhëzuesit ushqimorë variojnë nga një shtet në tjetrin, por zakonisht rekomandojnë që të konsumohet jo më shumë se 5 ose 6 gramë kripë në ditë.

Ka shumë arsye që e justifikojnë praninë e kripës nëpër ushqimet industriale. Përveçse zgjat jetën e produktit, kripa përmirëson edhe shijen e përbërësve të dobët dhe maskon shijet e hidhura, që shpesh shkaktohen nga proceset e punës industriale. Kloruri i natriumit injektohet në mish për të shtuar sasinë e ujërave, në mënyrë që pesha dhe çmimi të rriten. Kripa përmirëson pamjen, konsistencën dhe aromën e produktit të përfunduar. Të shton etjen, duke nxitur shitjen e pijeve me dhe pa gaz.

Ndërkaq i gjithë ky konsum kripe frikëson mjekët. Veshkat mund të nxjerrin jashtë një pjesë të saj, por të gjithë ata që konsumojnë më shumë se gjysmë gramë kripë në ditë, akumulojnë sasi të mëdha natriumi. Për të mbajtur konstant përqendrimin hidrik, organizmi ruan më shumë ujë. “Secili prej nesh konsumon një litër, ose një litër e gjysmë ujë në ditë, ndërkohë që do të mjaftonte shumë më pak nëse nuk do ta përdornim shumë kripën”, shpjegon Graham MacGregor. Një pasojë e pashmangshme e ujërave me tepricë në organizëm është rritja e presionit të gjakut. Në fakt, ende nuk është i qartë raporti shkak-efekt, ashtu siç vazhdon të mos kuptohet fakti pse përse disa persona janë më të ndjeshëm se të tjerët ndaj këtij fenomeni.

Për sëmundjet kardiovaskulare, një prej faktorëve kryesorë të rrezikut është presioni i lartë. Madje jo vetëm kaq. Edhe një rritje minimale shton rrezikun e infarktit. “Gjithçka që ndihmon në uljen e presionit të gjakut është e mirë”, thotë Graham MacGregor. Për këtë arsye, ulja e konsumit të kripës është bërë një prej qëllimeve kryesore të politikave të huaja perëndimore.

Qëllime realiste

Udhëzuesit ushqimorë variojnë nga një shtet në tjetrin, por zakonisht rekomandojnë që të konsumohet jo më shumë se 5 ose 6 gramë kripë në ditë. Po flasim për nivele të largëta nga sasia ideale, por janë qëllime të vërteta në një botë të pushtuar nga kripa. Provoni ta ngjyrosni përditshmërinë tuaj me kripë dhe do të kuptoni menjëherë se është shumë e vështirë të respektosh edhe vlerën më minimale. Unë jam përpjekur të llogaris timen dhe zbulova se konsumoja 8 gramë në ditë. Nëse industria ushqimore do ta reduktonte gradualisht sasinë e kripës nga produktet e saj, të gjithë ne do ta konsumonim më pak pa e vënë re, sepse edhe receptorët e gjuhës që dallojnë kripën do ta rifitonin ndjeshmërinë.

Në vitin 1994, në Britaninë e Madhe, qeveria ishte përpjekur t’i vinte fre këtij fenomeni, por u tërhoq menjëherë për shkak të protestave të industrisë ushqimore. Gjatë viteve pasardhëse presionet e komunitetit shkencor, të shoqatave për shëndetin dhe organizmave si “Food standards agency” (agjencia britanike që përcakton standardet e sigurisë së ushqimit) i ndryshuan gradualisht gjërat dhe industria ushqimore i ndryshoi e reduktoi në mënyrë të moderuar sasinë e kripës nëpër ushqime. Në vende të tjera, sidomos në Shtetet e Bashkuara, situata është më e ndërlikuar. Mbrojtësi më i flakë këtu është “Salt Institute”, një shoqatë tregtare me qendër në Aleksandri, Virxhinia, që përfaqëson 48 prodhues dhe shitësit me pakicë të klorurit të natriumit. Prej vitesh instituti reklamon dhe mbështet të gjitha studimet që janë kundër reduktimit të kripës në dietë.

Ndër vite janë bërë shumë kërkime dhe rezultatet janë unike, megjithatë kuptimi dihet. Të gjitha studimet kërkojnë një lidhje midis sasisë së kripës që njerëzit konsumojnë dhe treguesit të infarkteve. Në vitin 2009 kardiologu Francesco Cappuccio, profesor në Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe, ka mbledhur të gjitha të dhënat dhe ka vënë re një korrelacion të fortë mes një diete që përmban sasi të madhe kripe dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Një e dhënë tjetër e këtyre studimeve është ndërhyrja e drejtpërdrejtë në dietë: janë marrë dy grupe njerëzish dhe njërit i është dhënë më pak kripë. Pastaj doktori ka krahasuar rezultatet. Këto eksperimente kërkojnë më shumë punë se studimet tradicionale. Megjithatë prej pak vitesh disa studiues arritën të bindin qindra persona që të reduktonin për katër vjet sasinë e kripës 2 gramë në ditë dhe në fund u vërejt se këto subjekte kishin pësuar një ulje 25% të rrezikut të prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare. Në bazë të zakoneve ushqimore mund të analizohen të dhënat e shumë vendeve. Para 50 vjetësh, veriu i Japonisë ishte një prej konsumatorëve më të mëdhenj të kripës në botë (mesatarja ishte 18 gramë në ditë për person), si pasojë kishte edhe numrin më të madh të të prekurve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut. Për këtë arsye qeveria vendosi që të përdorej më pak kripë nëpër ushqime dhe në fund të viteve ‘60, konsumi kishte rënë në 4 gramë në ditë. Ishte ulur ndjeshëm rreth 80% rreziku i prekjes nga infarkti. Finlanda, një tjetër vend që është përdorues i madh i kripës, ka arritur në të njëjtin rezultat në vitet ‘70. Por rezultatet nuk janë gjithnjë kaq të qarta.

Kundër pakësimit të kripës

Në korrik të vitit 2011, “Cochrane collaboration”, një organizatë jofitimprurëse, që ka si qëllim vlerësimin e efektshmërisë së politikave shëndetësore, ka publikuar një studim mbi kripën dhe sëmundjet kardiovaskulare. “Cochrane” realizoi një “analizë” të studimeve më të mira që i referoheshin kësaj teme. Vetëm shtatë prej tyre rezultuan se i plotësonin kriteret e stabilitetit të organizmit nga 6 mijë të tilla. Analizat tregojnë se kush e konsumon më pak kripën, e ka presionin e gjakut pak më të ulët dhe është më pak i rrezikuar nga infarktet. Gjithsesi, korrelacioni me vdekjet nuk është aq i shpeshtë sa për t’u marrë në konsideratë nga ana statistikore. Studiuesit e “Cochrane collaboration” nuk e përjashtojnë mundësinë që rënia e vdekshmërisë është fryt i rastit. Në fakt shkenca e të ushqyerit është shumë e ndërlikuar. Nevojiten shumë studime për ta vërtetuar më mirë nëse kripa na bën ose jo keq. Ndoshta mund të jetë mirë që ta fshijmë kripën nga lista gjërave të dëmshme, por mund të pendohemi.