Lajme Shqip Saturday, 21 September 2013 14:57

-Rebele’ dhe në ‘altar’. Ndryshe nga soji i femrave të rangut të saj, këngëtarja e madhe Aurela Gaçe, nuk do të bëjë qoftë dhe për pak orë “kryeneçen e zbutur”. Thjesht, velloja në kokë, sot do t’i japë më shumë nur, do t’i vijëzojë në telajon e së bardhës një qeshje prej princeshe. Edhe ditën më të veçantë të jetës së saj, ajo sjell risi në ceremoninë martesore. Këngëtarja ekspresive ka zgjedhur t’i shmanget traditës. Nusja më e re e skenës, udhëtimin më të lumtur të jetës nuk e nisi as me pajton dhe as me makinë luksoze siç ndodh rëndom, por me një motor tip “Harley”… Kaq mjaftoi për t’u dhënë start surprizave të tjera gjatë mbrëmjes, që nuk dihet se kur e pati fundin.

 

Dasma

Siparin e dasmës e çeli këngëtarja e njohur Eli Fara, mike e vjetër e Gaçes, e cila këndoi për kënaqësinë e saj dhe të të gjithë të ftuarve këngën “Çupëzë beqare moj”, në vargjet e tekstit të së cilës thuhet: “Na dole gënjeshtare, sepse the s’martohem fare”, siç në fakt ndodhi edhe me Aurelën. Plani për martesë, ishte shumë larg, madje ndonjëherë edhe fshihej fare nga lista e prioriteteve, por ja që, atëherë kur s’ia priste mendja Aurelës i ndodhi të takohej me Skerdin, burrin e jetës së saj, me të cilin ka tashmë edhe një vajzë, Grace-n, gati 2-vjeçare, e cila ishte shoqëruesja dhe dëshmitarja perfekte e dashurisë së mamit dhe babit gjatë ceremonisë së mbrëmshme. Sigurisht që dasma u pasua nga të tjera këngë shumë të bukura, popullore tabani, të kënduara nga Eli Fara, Artiola Toska, Vëllezërit Korçarë e me radhë të gjithë këngëtarët e ftuar, të cilët, donin s’donin s’i shmangeshin dot detyrës që dinë të bëjnë më mirë. Natyrisht që një mbrëmje e tillë nuk do të kishte kuptim pa zërin e saj, mbretëreshës së natës, Aurela Gaçes, e cila kishte bërë disa zgjedhje të veçanta për këtë rast. Gjatë ceremonisë së organizuar nga agjencia e njohur martesore “Geraldina Sposa”, këngëtarja ndërroi tri fustane, të zgjedhura me kujdes nga koleksionet e fundit. Sigurisht që nuk munguan në këtë natë as kërcimet tradicionale mes çiftit, fjala e familjarëve të tyre, e të tjera zakone si këto, që ia shtuan edhe më shumë ngjyrat natës së Aurelës dhe Skerdit.

 

Festa e beqarisë

“Shoqëria e Skerdit bëri ç’bëri, dhe seç kanë organizuar e seç po bëjnë, unë s’di gjë. Shoqëria ta punon e para. Para dasmës, ma marrin burrin të shijojë orët e fundit të beqarisë. Nëse të gjithë e bëjnë festën e beqarisë përpara martesës, unë do ta bëj 1 javë pas dasmës, për inat të shoqërisë domethënë. Jo mo jo, se bëj shaka! Në fakt, shakaja është gjysma e së vërtetës. Shoqëria ime, bëhuni gati se festa ime do të jetë fiks një javë mbas dasmës. Dhe ku? Në ‘Crazy Calvin’. Do bëj namin fare”, shkruante këngëtarja e madhe e skenës, dy ditë më parë në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

 

Të ftuarit

Mes 300 të ftuarve në ceremoninë martesore të këngëtares Aurela Gaçe, ishin edhe mjaft fytyra të njohura publike, si:
Arian Çani,
Arben Malaj,
Ardit Gjebrea,
Alban Skënderaj dhe Miriam Cani,
Alda Bida dhe Petri Bozo,
Vera Grabocka dhe Timo Flloko,
Enada Hoxha dhe Gerd Vaso,
Ambasadori Arvizu me familjen,
Aleksandër Gjoka,
Elton Deda,
Eli Fara,
Manjola Nallbani,
Inis dhe Ingrit Gjoni,
Adrian Hila me bashkëshorten,
Vëllezërit Korçarë,
etj.

 

Look-u

Dukjen e saj, këtë herë këngëtarja ua besoi mjeshtrave të imazhit. Ndërsa fustanet dhe kurorat u siguruan nga agjencia “Geraldina Sposa”, grimin Aurela ia besoi artistes më të mirë të make up-it në Shqipëri, Lili Ismailit. Sigurisht që nuk mungonte në këtë ditë të veçantë as dora e stilistit dhe mikut të saj Joni Peçi, i cili kuroi detajet e vogla. Sakaq, duart, që janë pjesë shumë e rëndësishme në dukjen e një femre, këngëtarja e dashur ua besoi vajzave të talentuara të “Dora e Artë”./Bluetooth/