Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 09:30

Sa vijnë e forcohen më shumë zërat për një episod të ri të sagës së famshme të spiunazhit “Mission: Impossible”, me protagonist aktorin Tom Cruise.

Lajmet filluan të qarkullonin menjëherë pas përfundimit të shfaqjes në kinema të episodit të katërt “Ghost Protocol”, por duket se tani dyshimet po konfirmohen.

Filmi i fundit me agjentin Ethan Hunt arriti një sukses të madh, duke dominuar për javë të tëra klasifikimin e filmave më të ndjekur në Amerikë dhe Evropë.

Gjithashtu, Cruise, në rolin e protagonistit kryesor, përforcoi pozitën e tij në botën e kinemasë, pas performancave të dobëta të regjistruara me filmat e mëparshëm si “Valkyrie”, “Lions for Lambs” dhe “Knight and Days”.

Performanca fizike dhe artistike e Cruise bëri që regjisorët dhe producentët të mendojnë seriozisht për një episod të pestë, sërish me Cruise, që mendohej t’ia linte stafetën aktorit Jeremy Renner.

Gjithësesi, është ende herët të flitet për skenarin e ri të filmit, por në të pritet të mos mungojë regjisori Brad Bird, producenti J.J Abraams, etj.

Një gjë është e sigurtë, që Cruise, edhe pse 50 vjeç, u ka hapur një sfidë të madhe aktorëve më të rinj në moshë si Daniel Craig dhe Matt Damon, që interpretojnë spiunët e tjerë të famshëm të ekranit, James Bond dhe Jason Bourne.