Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 10:30

Rezidenca në Los Angles ku mbreti i Pop-it, Michael Jackson, kaloi orët e fundit në lagjen Hills Holmby nuk po shitet!

Mauricio Umansky, një nga agjentët e shitjes së pasurive të patundshme në Kaliforni, as me aftësitë e tij s’po e shet dot, madje as qiramarrësit nuk e preferojnë.

Siç raporton TMZ.com prona mund të blihet për 18.200.000 euro, një çmim i arsyeshëm duke marrë parasysh se ka të gjitha lukset. Prona prej 1.600 metrash katrorë, e stilit francez, ka një kinema, pishinë, një kantinë vere, një super palestër, shtatë dhoma gjumi, 13 banjo dhe ashensor.

Në vitin 2008 para se të vdiste Jackson, shtëpia e tij ishte vlerësuar 39 milionë dollarë. Por fundi i tmerrshëm i këngëtarit nga një mbidozë propofoli në 25 qershor 2009, nuk ka bërë që shtëpia e tij të ruajë vlerën, përkundrazi tashmë mund të shitet sa gjysma e vlerësuar më herët. Ndërsa për t’u dhënë me qera vlen 76.000 dollarë në muaj.

Për të lehtësuar shitjen, pronari hoqi të gjitha mobiljet, por siç duket, askush nuk dëshiron ta blejë këtë vend ‘të mallkuar’ siç thonë tabloidët.