Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 17:46

Tetovë – Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), si në zgjedhjet e kaluara, ashtu edhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, del me platformën e saj elektorale që inkarnon vendosmërinë e saj për të hapur imperativisht procesin e reformave politike dhe kushtetuese për të ridefinuar dhe qartësuar statusin politik të popullit shqiptar në sistemin politik dhe kushtetues si dhe pozitën e raporteve shqiptaro-maqedonase në këto sisteme. Kjo, mes tjerash, bëhet e ditur në platformën elektorale të kësaj partie në zgjedhjet e sivjetme, me në krye Sejfedin Haruni.

“PPD-ja konsideron se vetëm përmes formulës së federalizmit multinacional, mund të vendosen bazat e një mirëkuptimi të qëndrueshëm për të tashmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar, popullit maqedonas dhe popujve tjerë të Maqedonisë. PPD-ja konsideron se vetëm përmes opsionit të shtetit biling demokratik dhe multikulturor që ngritët, duke marrë për bazë vullnetin reciprok të dy e më tepër popujve, të shtetit demokratik multinacional që ngritët duke marrë për bazë realitetet shumënacionale, historike, kulturore, demografike, gjeografike të vendit, përbën një garanci të qëndrueshme për bashkëjetesën paqësore të popujve që kanë vendosur të bashkëjetojnë, apo që duan ta reformojnë në mënyrë demokratike paktin e bashkëjetesës së tyre në një shtet të përbashkët dhe se ky opsion është i pranueshëm, legjitim dhe i realizueshëm politikisht”, thuhet në platformën politike të kësaj partie. Madje, PPD-ja konsideron se vetëm përmes konkretizimit real dhe efektiv të këtij principi, mund të vendosen bazat e qëndrueshme të menaxhimit të barabartë, të njëjtë në një tërësi konstitucionale, mund të sigurohet koekzistenca e qetë dhe normale mes popujve që e përbëjnë këtë tërësi shtetërore dhe e funksionimit normal e demokratik dhe me perspektivë demokratike evropiane e kësaj tërësie.

“Dhe, duke u nisur nga këto principe, PPD-ja riafirmon vendosmërisht demarshin e saj legjitim politik për të ofruar negociata demokratike Paktin e dy popujve konsitutivë të Maqedonisë mbi principet e kontinuitetit historik të popujve që janë formuar historikisht dhe kulturalisht në këtë territor, të njohjes reciproke të legjitimitet dhe të statusit konstitutiv, në shtetformësinë e Maqedonisë, të popullit shqiptar dhe popullit maqedonas, por edhe të vullnetit dhe pëlqimit reciprok të të dy popujve dhe të tjerëve që jetojnë në Maqedoni, për të krijuar shtetin e përbashkët”, qëndron në platformën politike të PPD-së.