Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 10:10

Tetovë – Në tubimin qendror në Sllatinë, komuna Tearcë, kryetari i PDSH-së dhe bartës i listës zgjedhore për deputet në rajonin e gjashtë zgjedhor, Menduh Thaçi u kundërshtua në pohimet e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti s’e ajo parti e ka shndërruar Spitalin e Përgjithshëm në Qendër Klinike.

“Qendrën Klinike në Tetovë e bëri PDSH-ja derisa ishte në pushtet. Ndoshta Ahmeti e legalizoi Universitetin e Tetovës, por ai preu shiritin, kur kishte vetëm tre fakultete të akredituara në të. Kur ne erdhëm në pushtet, erdhëm deri te numri 13 i fakulteteve të legalizuara. Nuk është e saktë se BDI-ja i ka disperzuar studentët nëpër qytetet e tjera, sepse ne e filluam këtë”, tha Thaçi.

Ai e akuzoi Ahmetin edhe për shkatërrimin e institutit për trashëgimi kulturore shqiptare Pjetër Bogdani në Shkup. Thaçi u bëri thirrje banorëve të Sllatinës që ta mbështesin platformën e PDSH-së dhe të votojnë kundër pushtetit ekzistues, siç tha antishqiptarë, ndërsa porositi që fushata dhe zgjedhjet të kalojnë pa provokime të rrezikshme në atmosferë të qetë dhe korrekte.