Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 19:17

Shkup – Ekspertët e të Drejtës kushtetuese kanë konstatuar se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), nuk duhet të funksionojë si shtab partiak. Anëtarët e këtij komisioni duhet të ndërpresin konfrontimin midis tyre dhe të largohen nga ndikimet politike dhe interesat partiake, në të kundërtën mund të kërcënohet dhe cënohet i tërë procesi zgjedhor dhe funksionimi i sistemit shtetëror, thonë ekspertët e të Drejtës kushtetuese.

Sipas tyre, organi më i lartë shtetëror që merret me procesin e zgjedhjeve, për shkak të dallimeve të theksuara të anëtarëve të KSHZ-së nga pozita dhe opozita, mund ta vënë në pikëpyetje tërë procesin zgjedhor.

Formati i tanishëm i KSHZ-së është tre anëtarë të propozuar nga shumica parlamentare dhe tre nga opozita. Dallimet midis tyre kulminuan kur anëtarët e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja, në mënyrë demonstrative lëshuan mbledhjen e komisionit në të cilën duhej të debatohej, për dëshmitë e dorëzuar në KSHZ nga ana e gazetarëve të TV A1, të cilët nëpërmjet një hulumtimi të tyre kishin ardhur deri te dëshmitë me të cilat vërtetohej kërcënimi dhe trysnia që po ushtrojnë funksionarët e VMRO-DPMNE-së, ndaj administratës shtetërore me qëllim të sigurimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit.

Profesori Osman Kadriu, ekspert i të Drejtës Kushtetuese, ka vërejtur mosmarrëveshjet në KSHZ që, sipas tij, pritet të kulminojnë gjatë kohës së numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve.

“Është e qartë se ka pasur përplasje midis anëtarëve të KSHZ-së. Ky organ duhet të funksionojë konform ligjit dhe Kushtetutës. Ai duhet të japë llogari para qytetarëve për zbatimin e ligjit. KSHZ-ja nuk duhet të jetë peng i marrëveshjeve politike dhe jopolitike”, tha Kadriu.

Ai thekson se anëtarët e Komisionit duhet të jenë në funksion dhe zbatim të ligjit e jo të largohen nga mbledhjet.

“Komisioni duhet të jetë në mbrojtjeje të ligjit. Sigurisht se do të ketë kundërshtime midis anëtarëve për shumë çështje, por jo edhe të ikësh nga mbledhjet. Ka një mori vendimesh të cilat duhet të miratohen në pajtueshmëri duke përfshirë edhe ankesat dhe parashtesat. Vendimet e KSHZ-së duhet të jenë në funksion dhe pajtueshmëri me Kodin Zgjedhor”, ka thënë Osman Kadriu.

“Anëtarët e KSHZ-së janë të detyruar të tejkalojnë interesat partiake. Në rrjedhë është fushata zgjedhore. Qeveria është teknike dhe nuk duhet të sjellë asnjë vendim voluminoz. Parlamenti është shpërndarë dhe nuk ka kush të ndërrojë anëtarët e KSHZ-së”, ka thënë nga ana tjetër, Tanja Karakamisheva, profesoreshë e së Drejtës Kushtetuese.

Dy anëtarët shqiptarë të KSHZ-së, Subhi Jakupi dhe Bedredin Ibrahimi, vlerësojnë se situata nuk është edhe aq e tensionuar sa paraqitet.

“Situata nuk është alarmante për të parashikuar një situatë shumë të tensionuar. Të gjithë anëtarët e KSHZ-së, kanë përgjegjësi ligjore, morale dhe njerëzore në përputhshmëri me Kodin Zgjedhor dhe veprojnë në bazë të Kodit Zgjedhor. Të gjitha vendimet në KSHZ merren me konsensus apo me shumicë votash”, ka thënë Jakupi, nënkryetari KSHZ-së. Ai tha se ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me anëtarin tjetër shqiptarë në KSHZ, dhe me të gjithë anëtarët tjerë.

“Jemi duke ndjekur punën dhe të gjithë anëtarët janë duke kryer detyrat në mënyrë profesionale, përveç ditës kur diskutohej për informatën nga TV A1. Ndërsa në aspekt të Kodit Zgjedhor nuk shoh të ketë ndonjë anim politik”, u shpreh Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.