Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 07:43

Shkup – Ish kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arben Xhaferi e ka krahasuar kryeministrin Nikolla Gruevski me diktatorin koreanoverior Kim Jong II. Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve “Fokus” Xhaferi ka thënë se “disa vandalë të ardhshëm do ta përmirësojnë gabimin që ka bë Gruevski me projektin “Shkupi 2014”.

“Me projektin ‘Shkupi 2014’ kryeministri Nikolla Gruevski pjesërisht i plotësoi ëndrrat e veta, duke menduar se i ka plotësuar në tërësi. Gjithçka mund të kuptohet, po nuk jam i sigurt nëse porta triumfale, në mungesë të triumfit, është më afër Portës origjinale të ndërtuar nga arkitekti Zhan Shellgren, ose më afër asaj të ndërtuar nga Kim Jong II në Korenë Veriore. Në fund të fundit, politika nuk është poezi që lejon aq liri për ndërtime. Me këtë portë do të qeshen ata që kanë mendime kritike ndaj kiçit. Disa vandal të ardhshëm mund ta përmirësojnë këtë gabim”, ka thënë Xhaferi.

Lidhur me raportin ndaj vendeve fqinje, Xhaferi ka deklaruar se Maqedonia nuk mund të shkëputet ende nga dashuria e saj e vjetër- Serbia.

“Po të mos ishin presionet ndërkombëtare, Maqedonia asnjëherë nuk do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Mendoj se vendi nuk ka politikë ndërkombëtare jo vetëm ndaj fqinjëve, por në tërësi. Kjo lojë gjeostrategjike është e rrezikshme për vend të vogël, i ngarkuar me probleme ekonomike dhe politike”, ka thënë Xhaferi.