Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 11:32

Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) të premten mbrëma ka mbajtur tubimin e radhës në Butel të Shkupit, ku kreu i kësaj partie Menduh Thaçi ftoi simpatizantët dhe votuesit shqiptarë, që kësaj radhe të dënojnë politikën e Qeverisë së deritanishme.

“Ju ftoj, që me 5 qershor të dënojmë qeverisjen e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Kjo qeverisje duhet të shkojë. Është koha e fundit që të përfundojnë të gjitha nënshtrimet dhe nënçmimet që i bëhen shqiptarëve në Maqedoni gjatë viteve të fundit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se është koha për ndërtimin e një shteti të ri me reforma dhe zhvillim ekonomik si dhe hyrjen e shpejt në strukturat euroatlantike.

“Votoni PDSH-në dhe votoni të drejtat për shqiptarët. Ne do ta shpëtojmë popullin nga varfëria, kërcënimet dhe nënçmimet, ato dukuri që për çdo ditë po i bën BDI”, ka theksuar Thaçi, duke apeluar që askush më nuk mund të luaj me shqiptarët.

Kreu i PDSH-së, madje ka pohuar se BDI nuk po shikon aspak se çfarë po ndodhë në terren, për shkak se kjo parti, sipas tij, ka rolin e vasalit në Qeverinë e Gruevskit. “Nuk do të pranojmë dhe gëlltisim këto nënçmime që fillojnë me ndarjen e buxhetit, ndërtimin e kishave dhe përmendoreve maqedonase në vendbanimet e banuara me shqiptarë”, ka vlerësuar më tej Thaçi. Në këtë tubim ka folur edhe kandidati dhe bartësi i listës për deputet në njësinë e dytë zgjedhore, Orhan Ibrahimi, i cili kërkoi votën për PDSH-në dhe platformën e saj për të ndryshuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, të nëpërkëmbur nga qeverisja aktuale e BDI-së.