Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 18:23

Shkup – Në adresë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit dhe disa media në gjuhën shqipe janë drejtuar akuza për keqpërdorimin e studentëve kumanovarë në Konventën promovuese të kësaj partie, që u mbajt të hënën në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup.

Sipas akuzave që drejtohen ndaj partisë së Ahmetit, thuhet se studentët kumanovarë që studiojnë në fakultetet e disperzuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) në Kumanovë, nëpërmjet pankartave u kanë bërë thirrje studentëve për pjesëmarrje në Konventën Zgjedhore të BDI-së. Pankartat kanë qenë të nënshkruara si pronë e Parlamentit Studentor, ndërsa me to u është bërë thirrje studentëve dhe bashkëqytetarëve për pjesëmarrje në Konventën e BDI-së, që u mbajt në Qendrën sportive “Boris Trajkovski”. Ka reaguar edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila ka konstatuar se BDI-ja vazhdon avazin e saj të politizimit të institucioneve arsimore. “Edhe përkundër përcaktimit se institucionet arsimore janë të depolitizuar, BDI-ja, po vazhdon me avazin e politizimit të këtyre institucioneve duke bërë trysni ndaj studentëve dhe shkollarëve të mesëm që në numër sa më të madh të marrin pjesë në konventat promovuese të kësaj partie”, kanë reaguar nga PDSH. Në reagimin e kësaj partie thuhet se këto veprime të BDI-së dëshmojnë se është në gjendje paniku dhe ndodhet vetëm një hap drejt ikjes nga qeverisja. Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) këtë akt e ka quajtur si shkelje flagrante e normave që në fillim të fushatës zgjedhore.

“Ndonëse të gjitha partitë janë deklaruar se do të japin maksimumin që zgjedhjet të jenë korrekte dhe demokratike, duke nënshkruar Kodeksin për zgjedhje fer, jo të gjithë mbajnë fjalën e dhënë”, thuhet në reagimin e RDK-së. Më tej në komunikatë thuhet se parti të caktuara politike jo vetëm që shkelin parimet demokratike, por atë e bëjnë pikërisht me gjeneratën më të ndjeshme të popullit, respektivisht me fëmijët.

“Në konventën promovuese të kandidatëve të BDI-se, kjo parti ka keqpërdorur fëmijët (që dëshmohet edhe me fotografi autentike) duke transportuar ato nga bankat shkollore, në mënyrë të organizuar edhe atë jo vetëm nxënës të shkollave të mesme por edhe të atyre fillore nga Kërçova, Kumanova, Shkupi, Tetova dhe vendbanime tjera, duke lënë anash mësimin e rregullt në to”, thuhet në reagimin me shkrim të RDK-së.

Nga BDI-ja thonë se në asnjë mënyrë nuk kanë bërë presione. “Me plot përgjegjësi konfirmojmë se në asnjë mënyrë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë presion politik. Ne jemi subjekt politik që ofrojmë program politik dhe këtë e kemi konfirmuar vite me radhë”, thonë në BDI.

Sipas tyre, kjo parti i mbetet deri në fund konsekuente qëndrimit për zgjedhje të lira dhe demokratike. Së fundmi edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Nikolla Todorov ka shprehur qëndrimin e tij të matur lidhur me këtë çështje.

“Nëse është kjo e saktë dhe në rast se është kjo e saktë, kjo është një praktikë që nuk duhet të lejohet”, ka thënë Todorov.