Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 18:47

Shkup – Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkim Evropian (BE), janë rrugët e zhvillimit ekonomik të vendit. Njohësit e mirë të zhvillimeve politike shqiptare në Maqedoni, vlerësojnë se partitë politike shqiptare me plotë të drejtë e vënë theksin në politikën e jashtme pasi që integrimet në strukturat euroatlantike hapin rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas tyre zhvillimi ekonomik i vendit ka lidhshmëri të drejtpërdrejtë me ecurinë e zhvillimit ekonomik.

“Politika shqiptare deri më tani s’ka marrë pjesë aktive në krijimin e politikës së jashtme dhe nuk e kanë parë rolin e vetë në krijimin e kësaj politike. Subjektet shqiptare insistojnë në integrimet euroatlantike pasi kjo lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë analisti politik, Albert Musliu. Ai thotë se është tepër e qartë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Musliu kërkon që në fushën e politikës së jashtme, politika shqiptare të jetë më aktive dhe angazhimet e saj të jenë më serioze e jo vetëm deklarative.

“Politika shqiptare të mos merret me deklarata, por të jetë pjesë aktive e krijimit të politikës së jashtme. Ky është roli i saj e jo të menaxhojë vetëm disa dikastere. Krijimi i politikave, por edhe asaj të integrimeve të bëhet bashkërisht nga të gjitha palët në qeverisje e jo vetëm nga një palë. Programet e qeverisë, ku do jenë programe të përbashkëta të partnerëve të koalicionit e jo vetëm të një partie politike”, thekson Musliu.

Analistja politike, Adelina Marku e vlerëson pozitive qasjen e partive shqiptare mbi integrimet euroatlantike.

”Vlerësoj pozitivisht që partitë politike shqiptare janë drejtë për së drejti afirmativ përballë idesë së integrimeve euroatlantike. Gjeneratorë të politikës së jashtme duhet të jenë shqiptarët krahas maqedonasve. Ende është fillimi i fushatës dhe jam e bindur se do të shtresohen edhe më shumë temat mbi ekonominë dhe çështjet sociale”, thotë Adelina Marku. Sipas saj, për herë të parë shohim partitë politike shqiptare se si me zë kritik flasin për ndarjen jo të drejtë të buxhetit të shtetit.

“Nëse bëhemi vlerësues më të vëmendshëm do të vërejmë se në fakt për herë të parë partitë shqiptare flasin me shumë zë dhe kritikë mbi ndarjen e padrejtë të buxhetit shtetëror dhe kjo retorikë kritike afirmohet nga partitë shqiptare të opozitës. Ky pritet të jetë debati shqiptar mbi ekonominë. Tjetër nuk pres të ketë”, potencon Marku.

Problemet sociale për Adelina Markun, po keqpërdoren nga politika ku “pa dashjen e tyre”, bëjnë pjesë edhe ish-luftëtarët e UÇK-së. “Çështjet sociale tek popullata shqiptare do të zbresin gjithashtu në fushatë, por unë pres të mos keqpërdorohet kjo kategori e lënë tmerrësisht pas dore, pasi mos harrojmë se në këtë kategori hynë ‘pa dashjen e tyre’’ edhe ish luftëtarët e UÇK-së”, thekson Marku. Ajo vuri në dukje se mënyra e komunikimit të politikanëve me qytetarët dhe bartja e mesazheve të tyre tek ai, varet pikërisht nga përfaqësuesit politik. “Tjetër është cilësia e komunikimit politik mbi këto çështje, pra nevojitet aftësi specifike për të bartur mesazhe politike të qarta. Sa do e bëjnë këtë bartësit e listave, kandidatët dhe shtabet zgjedhore, mbetet ta shohim”, vlerëson Adelina Marku.