Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 12:04

Shkup – Të hënën (sot), në Maqedoni, edhe zyrtarisht nisi fushata parazgjedhore, e cila, për dallim nga disa herë të tjera partitë, politike shqiptare i gjen më të përgatitura për “dasmë” elektorale, me flamuj e muzikë deri në ditën e zgjedhjeve.

Partitë politike shqiptare tani më kanë caktuar aktivitetin elektoral, orarin e tubimeve parazgjedhore, slloganet dhe siglat partiake, por në forma dhe mënyra të ndryshme kanë prezantuar edhe pjesë nga programet e tyre zgjedhore.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e fillon fushatën sonte me një tubim madhështor, ashtu siç paralajmërojnë nga partia e Ahmetit, në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski”, në Shkup.

Zyrtarisht nga BDI-ja ende nuk e konfirmojnë slloganin e partisë së tyre, për të cilin thonë se do shpallet në tubimin e sotëm i cili është konventë promovuese e kandidatëve për deputetë.

Mësojmë se se sllogani i kësaj partie “Bashkë, drejt qëllimit” do shoqërohet edhe më himnin zgjedhor i cili do të interpretohet nga një grup i njohur këngëtarësh. Në fletët e votimit BDI do mbajë numrin 7.

Nga blloku “blu”, mësojmë se krahas angazhimit të kompanive vendore, kjo parti tashmë ka angazhuar edhe ekspertë të huaj të komunikimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), emri i të cilëve ende nuk zbardhët.

“Puna ka nisur dhe ekspertët amerikanë janë në kontakt të vazhdueshëm me shtabin zgjedhor”, mësohet nga Shtabi Zgjedhor i BDI-së.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), në opozitë, po të sot fillon fushatën parazgjedhore nga Sh.F. “Bajram Shabani” – fshatin Kondovë të Shkupit.

Sllogani i kësaj partie në këto zgjedhje është “Hajdeni Me ne”, ndërsa e njëjta nuk do jetë e shoqëruar me ndonjë sigël muzikore.

Numri i PDSH-së në fletat e votimit është 8. “PDSH në këto zgjedhje do garojë duke u solidarizuar me nëpërkëmbjen ekonomike që ju bëhen shqiptarëve. Kështu që fushata do jetë më shumë fushatë që do reflektojë parimin zemër me zemër me votuesit”, thonë në PDSH.

Në zgjedhjet e kaluara kjo parti kishte angazhuar si konsultant analistin e njohur Janush Bugajskin, ndërsa në këto zgjedhje do këshillohet nga këshilltarë vendorë.

Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit në këto zgjedhje do të garojë me slloganin “Bashkohu, Ia vlen!”, ndërsa himnin e fushatës së kësaj partie do e interpretojë këngëtarja nga Shkupi, Adelina Tahiri.

DR fushatën e fillon nga njësia zgjedhore numër 2. Gjegjësisht, në Fshatin Matejç të Komunës së Likovës.

Më e vonuara në këtë drejtim del partia e Rufi Osmanit, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e cila fushatën parazgjedhore e nis, më 19 maj në Shkup, ndërsa do ta përmbyllë atë me një tubim madhështor në Gostivar.

Lidhur me slloganin dhe siglën muzikore të kësaj partie nuk jepen detaje dhe pritet që të njëjtat të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme.

Siç informojnë nga partia e Osmanit, ka më shumë opcione rreth asaj se cili do jetë sllogani i kësaj partie në zgjedhje me të cilin do të garojnë për të rrëmbyer besimin e votuesit shqiptar.

Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, gjatë 20 ditëve të ardhshme do të mund t’i prezantojnë programet e tyre para elektoratit dhe të elaborojnë se pse kërkojnë besimin nga qytetarët.

Fushata do të zgjasë deri më 3 qershor në orën 24:00. Dita para zgjedhjeve është heshtje zgjedhore. Vendvotimet më 5 qershor do të hapen prej orës 07:00 deri në orën 19:00. Qytetarët do të mund të zgjedhin midis 18 listave të kandidatëve që i konfirmoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional, në gjashtë njësi zgjedhore në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe tre për qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë shtetit. Të drejtë vote kanë rreth 1.835.000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë, të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore.

Me qëllim të procesit zgjedhor korrekt dhe demokratik, 30 parti politike javën e kaluar nënshkruan Kodeks të sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Apel për sjellje korrekte zgjedhore dërguan SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe OSBE-ja dhe shumë përfaqësues dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare. Sipas paralajmërimeve të deritanishme, zgjedhjet do t’i vëzhgojnë 332 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut – ODIHR dhe 3.500 të Asociacionit qytetar MOST.