Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 20:53

Shkup – Me shumicë votash, Komisioni shtetëror zgjedhor, pas një debati të gjatë, përfundoi se nuk mund të kryejë hetim lidhur me rastin e presioneve ndaj të punësuarve në administratën publike dhe se atë mund ta bëjë vetë, Prokuroria publike dhe MPB-ja.

Konkludimet, të propozuara nga anëtari Jovan Josifovski, parashohin se nëse ka veprim të mundshëm të paligjshëm të të punësuarve të caktuar në administratën publike, rezultatet e tilla duhet t’i konfirmojnë organet e tjera kompetente, siç është Prokuroria publike dhe Ministria e Punëve të brendshme sepse KSHZ nuk mund të kryejë veprime hetimore.

Konkludimet pasojnë pas debatit lidhur me listat e parashtruara nga Televizioni A1 për gjoja presionet ndaj administratës publike nga ana e VMRO-DPMNE-së në pushtet.

Paraprakisht, KSHZ nuk i pranoi konkludimet e kryetarit të Komisionit, Boris Kondarko, i cili propozoi që Komisioni menjëherë t’i kontrollojë të gjitha emrat nga listat dhe të konfirmojë nëse disa nga ata persona janë në përbërjen e organeve zgjedhore, për çka më pas do ta informojë Prokurorinë publike.

Kryetari i KSHZ-së kërkoi që edhe Qeveria t’ua garantojë të drejtën të punësuarve në administratën shtetërore publike se askush nuk do të kryejë ndaj tyre kurfarë presioni, si dhe se të gjithë udhëheqësve në administratën shtetërore t’u bëjë thirrje të mos kryejnë kurfarë ndikimi ndaj të punësuarve të tyre. Në propozimet e Kondarkos ishte edhe që KSHZ të ngrisë procedurë për kërkesën nga Prokuroria publike që t’i hetojë menjëherë thëniet e televizionit A1.