Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 13:49

Gostivar – Karvani i Demokracisë së Re (DR), i kryesuar nga lideri i saj, Imer Selmani, ka vazhduar fushatën parazgjedhore në komunën e Vrapçishtit të Gostivarit, ku para një numri të madh të të pranishmëve shpalosi Programin e  DR-së dhe prentoi kandidatët për deputetë të kësaj partie nga kjo zonë.

“Partia jonë kurrë nuk ka marrë pjesë në nxitjen e grindjeve brendashqiptare, por është angazhuar për bashkim të forcave politike që kanë shqiptarët e Maqedonisë për çështje në interes kombëtar të shqiptarëve. Neve nuk na duhen hasmëri mes veti, por na duhet bashkëveprim”, ka thënë Imer Selmani para banorëve të Vrapçishtit.

Ai gjithashtu ka nënvizuar se 10 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ka ardhur koha që vendimet dhe politikat që prekin marrëdhëniet ndëretnike në vendin tonë të sjellen në frymë konsensuale dhe pa majorizim ndaj shqiptarëve. Andaj, ka shtuar Selmani,

“DR-ja do të angazhohet për reformë kushtetuese me të cilat shqiptarët përfundimisht do të bëhen popull shtetformues dhe do të jenë pjesëmarrës direkt në drejtimin e këtij shteti”.

Nga ana tjetër, kandidati për deputet dhe bartës i listës së DR-së në njësinë zgjedhore 6, Kastriot Haxhirexha ka thënë se DR-ja nuk do të lejojë që në Maqedoni për shqiptarët të jenë të rezervuara vetëm funksionet shtetërore të dorës së dytë.

Ai theksoi se ka ardhur koha t’i thuhet fund diskriminimit të shqiptarëve dhe se është moment i fundit shqiptarët të dëshmojnë relevancën e tyre si faktor politik menjëherë pas zgjedhjeve, kur DR-ja dhe partitë shqiptare do të kushtëzojnë kompozimin e Qeverisë së ardhshme me marrëveshje mbi programin e DR-së.

Haxhirexha kritikoi edhe servilizmin e përfaqësuesve të BDI-së në qeverisjen e tyre me VMRO-DPMNE-në, të cilët me paaftësinë e tyre lejuan dëmtimin e interesave shqiptare dhe përbuzjen e popullit shqiptar nga ana e Kryeministrit Gruevski.