Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 16:18

Ohër – Bartësi i listës së Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” i kryesuar nga VMRO-DPMNE në njesinë zgjedhore 5, ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski sot në Ohër para mediave prezantoi një pjesë të programit të qeverisë së ardhshme të VMRO-DPMNE-së, më konkretisht pjesë të “Manifestit për reforma dhe zhvillim” të cilat kanë të bëjnë me proceset eurointegruese.

“Në programin e VMRO-DPMNE-së i kushtojmë vëmendje të madhe reformave të cilat kanë të bëjnë me eurointegrimet, veçanërisht përmes reformave në administratën publike dhe në gjyqësi, si komponenta të rëndësishme të cilat e determinojnë kapacitetin e një shteti të përballet me kriteret dhe standardet e BE-së. Vlerësoj se atë të cilën deri më tani e arritëm si Qeveri premton dhe bind se edhe në të ardhmen do të mund ta mbajmë këtë kondicion të reformave të pandërprera, pa dallim se po ndodhin disa pengesa të caktuara në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm politik”, tha Milloshoski.

Për pengesat gjegjësisht problemet me të cilat ballafaqohet shteti në rrugën drejt anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në BE, Milloshoski tha se për të gjitha çështjet do të diskutohet, por mbetet të punohet në detyrën vendore, gjegjësisht siç tha “reformat janë angazhim i yni të cilin do të vazhdojmë ta udhëheqim në vazhdimësi”.

Vizitën e sotme në Ohër, bashkë me eurodeputeten nga Suedia Ana Ibrizagiq, Milloshoski e vlerëoi si një mundësi të mirë për prezantimin e Maqedonisë si pjesë e pashkëputur e civilizimit dhe kulturës evropiane.

Eurodeputetja nga radhët e Partisë së matur suedeze në grupin e Partisë evropiane popullore, e cila në përvojën e saj aktive prej shtatë vjetësh në politikën e jashtme të BE-së pesë vjet ka qenë përgjegjëse për Republikën e Maqedonisë, me këtë rast tha se Maqedonia është vend evropian dhe vendi i saj është në BE.

“Ne po përpiqemi nga Parlamenti Evropian të dërgojmë sinjale të qarta politike në lidhje me vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Pavarësisht ndarjeve të caktuara dhe mëdyshjeve për këtë çështje, kur bëhet fjalë për Republikën e Maqedonisë, këtu nuk ka hamendje se jeni të mirëseardhur”, tha ajo, duke theksuar se në secilin raport të deritanishëm të Europarlamentit në mënyrë pozitive është vlerësuar puna e Qeverisë, para së gjithash duke i theksuar këtu reformat në sferat si arsim, gjyqësi, administratë publike.