Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 15:54

Kumanovë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), mbrëmë në sheshin e qytetit në Kumanovë mbajti tubim, në të cilin u prezantuan bartësja e listës në njësinë zgjedhore dy Ermira Mehmeti dhe kanidatët për deputetë.

Para kumanovarëve u drejtua edhe lideri i partisë Ali Ahmeti.

“Punojmë në realizimin e idealeve të paraardhësve tanë. Erdhëm këtu para jush, me faqe të pastër që të kërkojmë edhe një mandat. Neve nuk duhet të na shqetësojnë akuzat nga të tjerët. Për arritjet tona flasin udhërrëfyesit të shënuara në gjuhën shqipe, përdorimi i gjuhës shqipe këtu në Kumanovë në mbledhjet lokale”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se në periudhën e ardhshme nga ata pritet punë shtesë dhe se programi i BDI-së nuk është politik dhe popullistik, por bazohet në projekte konkrete.

Ahmeti kërkoi edhe një mandat që të punohet në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik.

Para të pranishmëve u drejtua edhe bartësja e listës zgjedhore në njësinë e dytë zgjedhore, Ermira Mehmeti, e cila potencoi se programi i BDI-së është preciz.

“Kërkojmë nga ju edhe një mandat që të mundemi të ndërtojmë ujësjellës në Likovë, që të munden të rinjt tanë dhe femrat të arsimohen, që të hapim vendkalime kufitare në Stançiq, Bellanoc…” tha Mehmeti.

Në miting folën edhe kandidatët për deputetë Hajrulla Misini dhe Rexhail Ismaili.