Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 20:31

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka vazhduar fushatën parazgjedhore me ç’rast ka realizuar takime me banorët e fshatit Konjare e Mesme.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, para banorëve theksoi se BDI-ja është parti politike që punon për interes të popullit shqiptar. Ai tha se BDI angazhohet për instalimin e vlerave kombëtare nëpër institucionet e Maqedonisë, duke u ndalur në projektet e realizuara dhe kjo sipas tij, është realizuar bashkë dhe duke qenë unik dhe për të vazhduar me realizimin e projekteve duhet një unitet i madh.

“Kërkoj të kenë besim qytetarët në BDI sepse vetëm me besim dhe sinqeritet mund të realizohen këto qëllime ashtu siç në vitin 1994 u themelua USHT-së dhe besimi ishte i madh që ky universitet do të zhvillohet dhe ai asnjëherë nuk u ndal dhe në vitin 2004 u zyrtarizua, ndërsa sot u disperzua në çdo qytet ku jetojnë shqiptarët, që të mësojnë dhe studiojnë në gjuhën amtare”, tha Ahmeti, duke shtuar se kërkon që edhe në këto zgjedhje të jenë unik dhe t’i realizojnë qëllimet e tyre.

Bartësi i listës për deputet në njësinë e tretë zgjedhore Bujar Osmani kërkoi nga banorët e Orizares që të votojnë BDI-në më 5 qershor që edhe ata të kenë përfaqësuesin e tyre në parlament dhe në organin më të lartë ligjdhënës të dëgjohen kërkesat e tyre. Ai u zotua para të pranishmëve se deri në fund do t’i mbroj interesat e tyre.