Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 15:44

Berat – Një skulpturë e rrallë e periudhës romake të shek.I-II është zbuluar në lagjen Goricë të Beratit. Ka qenë rilevimi i një banese karakteristike e tipit me çardak, monument i kategorisë së parë vendi ku ajo ka dalë në dritë. Studiuesi beratas Dritan Çoku, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, tregon se rëndësinë e këtij zbulimi. Skulptura, një tors-trup i punuar në mermer të importuar.
Z. Çoku, çfarë përfaqëson zbulimi i bërë?
Në Shqipëri njihen një sërë skulpturash të periudhës perandorake romake, nga shek.I deri në shek.II e.s. Veçanërisht të shumta janë skulpturat që i përkasin periudhave në paqe të perandorisë, shek.II dhe shek.III. Ato na japin të dhëna të shumanshme për jetën, përfytyrimet fetare, tregtinë dhe ekonominë e kohës. Këto skulptura janë kopje të shtatoreve greke, të gjetura në radhë të parë në Apolloni dhe Butrint; portrete kryesisht nga Durrësi, Apolonia dhe Butrinti; relieve dhe altarë funeralë, të përhapur në tërë vendin tonë me një shumëllojshmëri formash: si dhe shtatore dekorative, relieve, urna hiri dhe së fundi sarkofagë.
Ajo që na çoi në gjetjen rastësore të një skulpture të periudhës perandorake romake, ishte rilevimi i një banese karakteristike e tipit me çardak, në lagjen Goricë, gjendja e sotme e së cilës na vjen mjaft e transformuar. Objekti i trashëgimisë kulturore është torsi i një të riu. Ai është prej mermeri dhe ka gjerësi 17cm e lartësi 33cm. Trupi ka formë atletike, gdhendur me shpatullën e djathtë ngritur pak, trupin me fletë notimi të gjoksit të përcaktuara mirë, pesha pushimi në këmbën e djathtë, këmba e majtë e relaksuar. Rrotullim i lehtë nga e djathta në të majtë të shtyllës kurrizore. Mendojmë se mund të jetë i shek.I-II.
Si arritët në këtë përfundim?
Ofruam një vështrim të përgjithshëm mbi gjetjet në Berat të kohës perandorake, për të saktësuar mendimin se nuk është një rastësi a çudi e pranisë së kësaj vepre në skulpturë me realizim të lartë artistik në qytetin e mrekullueshëm të Beratit. Do të ishte shumë e rëndësishme njohja dhe studimi i tij. Ashtu siç duket, ai është prej mermeri me kristale relativisht të vogla, do të ishte me interes përveç të tjerave përcaktimi i llojit të mermerit. Siç dimë, mermer nuk gjendet në shtresat gjeologjike të vendit tonë dhe gjatë antikitetit ka qenë i importuar.
Nga është origjina e këtij mermeri?
Kjo është një pyetje e natyrshme. Mos është nga Prokonezi (Marmara), ishulli i mermerit në Propontidë, në detin e sotëm të Marmarasë, ku do të kishim mundësi për të nxjerrë përfundime të mëtejshme? A mos vallë kjo të lë të mendosh për një përkushtim perandorak dhe dhuratë për ndonjë person të rëndësishëm? Ky arsyetim vazhdon edhe për një element arkitektonik të plastikës dekorative, një kapitel, mbeturinë e një kishe ose e pajisjeve të saj, në mesin e shek.V, kur Antipatrea u rithemelua dhe mori emrin Pulheriopolis nga Teodosi apo Markianosi. Materiali i mermerit për monumentet sepulkrale duhej të importohej si bllok i papunuar, ose në gjendje gjysmë të punuar ose krejtësisht të punuar. Në Shqipëri për sarkofagë kemi pak copë, gjysmë të përpunuar, ndërsa shumica janë importe plotësisht të punuara. Ata i përkasin kryesisht qendrave kryesore të prodhimit, përkatësisht Romës dhe në shumicën dërmuese, Athinës. Po tek skulptura jonë (tors i një të riu) si mundet të jetë vepruar, për realizimin e punimit? Akoma s’dihet!
A ka shumë monumente të shekujve I-III në vendin tonë?
Shekujt I-III të e.r. përfaqësojnë një nga periudhat më të lulëzuara të artit në vendin tonë. Skulptura është dega kryesore e artit dhe qendrat më të rëndësishme të punimit të saj janë Apolonia, Dyrrahu, Bylisi, Amantia dhe Foinike. Shekulli I i e.r. është edhe koha e zotërimit të modës së kopjimit të skulpturave të hershme. Nga tipat më të parapëlqyer janë ata që lidhen me shkollën e Praksitelit. Është pranuar nga të gjithë studiuesit që në Apoloni arti, veçanërisht ai i skulpturës, kishte arritur të krijonte një shkollë, që nuk kopjonte me besnikëri veprat e mjeshtrave të dëgjuar të botës greke, por ndiqte shpesh një rrugë të vetën dhe krijonte vepra origjinale. Që nga koha e sundimit të perandorit Hadrian, Apolonia bëhet qendra kryesore e skulpturës, duke na dhënë kryeveprat e saj. Kulmin arti apolonistik i skulpturës e arrin në shek. III të e.r., në periudhën e dinastisë së Severëve. Ky arsyetim të çon në logjikën, se skulptura jonë që kemi marrë në shqyrtim mund të jetë punuar nga skulptorë të shkollës apoloniate dhe mund të jenë sjellë në Berat nga Apolonia. Ndonëse disa çështje mbeten të hapura, megjithatë, del, se torsi i një të riu i gjetur në Berat është një shembull i rëndësishëm i skulpturës perandorake romake në Shqipëri dhe një dëshmi interesante e marrëdhënieve të gjera ekonomike dhe tregtare në perandorinë romake.
Aktualisht ku gjendet objekti?
Pas gjetjes të kësaj skulpture mjaft interesante, e rrallë në llojin e vet në Shqipëri, u bë pastrimi i saj. Mendojmë se është e nevojshme për një trajtim më të specializuar për sa i përket pastrimit dhe konservimit me anë të analizave konkrete laboratorike për largimin e njollave të errëta, gjurmëve të myshkut dhe të ndryshkut, sidomos në pjesën e prapme të torsit, e cila ishte e ekspozuar nga agjentët atmosferik. Më pas realizuam “pasaportën e objektit”, pra kartelën e identifikimit të këtij objekti trashëgimi kulturore, i cili u iventarizua pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore-Tiranë. Aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat dhe fatkeqësisht mesa jam në dijeni është i paekspozuar.(G.SH/LajmeShqip.com)