Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 21:00

PRISHTINË.- Në Mitrovicë është zbuluar busti i dëshmorit, Musa Hoti, në shkollën fillore që mban emrin e tij. 
Zbulimin u bë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati bashkë me Rifat Jasharin, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, ministrin e Diasporës, Ibrahim Makollin, përfaqësuesin e prindërve, Ylber Durmishi etj. Në organizimin për zbulimin e bustit kanë marrë pjesë edhe veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, familjarë të dëshmorit e mysafirë të shumtë nga vendi e diaspora.    
Zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës bën të ditur se, paraprakisht në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” u mbajt një akademi përkujtimore. Të pranishmit vlerësuan lartë veprën e dëshmorit, Musa Hoti, i cili u quajt edhe si hero i mërgatës shqiptare.
Kryetari Kastrati, shprehu kënaqësinë e tij për bustin e dëshmorit. “Veprimtaria atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, e bëjnë Hotin një figurë të shquar në historinë e re kosovare. Si i tillë ai ishte shndërruar në një katalizator të lëvizjeve ilegale që bëheshin nga djemtë e zgjedhur. Në të njëjtën kohë ai ishte bërë halë në syrin e atyre që e donin këtë tokë pa shqiptarë”, tha ai.
Kastrati, theksoi se Hoti, i cili ishte rritur dhe kalitur në një familje të lidhur ngushtë me fatet e popullit, herët e kishte zgjedhur rrugën e tij. “Ai kishte ndjekur vullnetin e njerëzve që donin të jetonin të lirë në vendin e tyre. Ai kishte ndjekur rrugën e babait të tij, Dautit, bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës”, tha kryetari i komunës së Mitrovicës, i cili
në fund i uroi familjarëve dhe qytetarëve të Mitrovicës emrin e ri të shkollës dhe bustin e dëshmorit, Musa Hoti.(LajmeShqip.com)