Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 19:36

Tiranë – Dy kisha, një xhami dhe një varrezë antike janë objektet e zbuluar së fundi në komunën e Kasharit, në periferi të kryeqytetit shqiptar.

Pas zbulimit të një kishe mesjetare, xhamisë së Kusit mbi 300 vjeçare, rrënojave të një kishe tjetër dhe një varreze antike, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e shpalli këtë hapësirë si zonë në mbrojtje dhe së shpejti pritet që të nisin gërmimet për të parë potencialin arkeologjik, i cili jep të dhëna më të sakta rreth objekteve.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Arbër Kadia, ka thënë për mediat se zbulimi është i rrallë për rrethinat e Tiranës dhe duhen parandaluar gërmimet pirate, që mund të dëmtojnë objektet.

Pritet që arkeologët të fillojnë gërmimin për të verifikuar edhe potencialet arkeologjike që mund të ndodhen kryesisht në rrënojat e kishës mesjetare, e cila në mënyrë fragmentare ka një mur prej 1 metër lartësi dhe pjesërisht është e mbuluar nga bimësia. Përmasat e saj janë 16 me 7,5 metra, ndërsa gjerësia e mureve është 65 cm.

Rreth 500 m në vijë ajrore, në majën e një kodre më të lartë se kodra e Kishës, ndodhen rrënojat e një xhamie, e cila rezulton se është prishur në vitin 1967. Objekti i quajtur nga banorët e zonës “Xhamia e Kusit” ruan konturet e rregullta të planimetrisë, hapësirat e dritareve të katit të parë, si dhe elementë të tjerë arkitektonikë.

Objekti i fundit që u verifikua nga grupi i punës është në zonën e fushës së Zaltës. Sipas grupit të punës, kemi të bëjmë me një varrezë antike, ku në vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar, janë zbuluar nga punimi i tokës ose gërmime të rastit, objekte të rëndësishme arkeologjike nga banorët e zonës. (LajmeShqip.com)