Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 09:04

Londër -Shkretëtira e Saharasë ‘noton mbi ujë’, kështu mund të thuhet pas publikimit të rezultateve të një studimi që tregon se kontinenti afrikan ka nën sipërfaqe rreth 100 herë më shumë ujë se sa mbi tokë. Që ta themi ndryshe, aq ujë sa ta mbulojë Afrikën me një thellësi prej 75 metrash.

Studimi është publikuar në Environment Research Letters, shoqëruar me një hartë të rezervave ujore nëntokësore të kontinetit të thatë ku 300 milionë njerëz nuk kanë akses të sigurt të ujit të pijshëm dhe vetëm 5% e tokës së punueshme është nën ujitje.

Ekipi britanik që ka kryer studimin thotë se shumë nga basenet nëntokësore të ujit janë krijuar që nga koha e ndryshimeve klimaterike që e kthyen në shkretëtire një pjesë të Afrikës, domethënë në këto basene ruhet ujë i grumbulluar aty para 5 mijë vjetësh. Këto basene janë të varrosura nën shtresa rëre dhe basenet më të mëdha ndodhen pikërisht në shkretëtirë, në territoret e Libisë, Algjerisë dhe Çadit.

Por shqetësimi i madh që shprehin vetë shkencëtarët që kanë bërë zbulimin është si do të jetë menaxhimi i këtyre burimeve. Ata janë skeptikë në lidhje me proçesin e shpimit pasi thonë se shpimet ansjëherë nuk duhet të nisin pa e kuptuar qartë natyrën e çdo baseni nëntokësor. (LajmeShqip.com)