Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 10:20

Tiranë – Pianisti Zamir Kabo u rikthye mbrëmjen e djeshme në skenën e Universitetit të Arteve për të performuar për herë të parë në vend një pjesë të kompozitorit rus Sergei Prokofiev.

Interpretimi i kësaj pjese në koncertin e sotëm vokal-simfonik nën dirigjimin e Oleg Arapit, ishte një zgjedhje e tij. “Pjesa është Piano Concerto No.1 Op.10, është një pjesë që njihet shumë, por që nuk është luajtur më parë. Zgjedhja ishte e imja pasi gjeta edhe terrenin e duhur për ta interpretuar si dhe me pëlqimin e dirigjentit”, tha Kabo.

Koncerti i sotëm përfshinte pjesë të kompozitorëve si, Mikhail Glinka, Gaetano Donizetti, Giacomo Puccini dhe si “Arien e Nastës” nga Avni Mula. Në koncert interpretoi edhe sopranoja Blerta Zhegu nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike e RTSH-së.

Zamir Kabo gjatë viteve të tij të studimit në Shkup të Maqedonisë, u zgjodh dy herë nga katedra e pianos që të luajë me orkestrën e Fakultetit. Në vitin 2011 përfaqësoi “UA” në Festivalin Italian “Nei souni dei luoghi”. Kabo është fitues ndër vite i çmimeve të ndryshme në konkursin ndërkombëtar EPTA që zhvillohet në Shqipëri si dhe çmime të tjera. Repertori i tij është i pasur duke përfshirë kompozitorë nga Bach, Mozart e deri tek Ravel e Stravinski. Ky koncert është pjesë e stinës artistike të Orkestrës Simfonike të RTSH-së.