Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 20:03

Ai po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së edicionit të dytë të Bridge Film Fest, ku Marko Caka është i ftuar nderi.

Në një intervistë për KultPlus, pikërisht nga Mitrovica, Caka ka folur për ngjitjen drejt kinematografisë botërore, sikurse ka folur edhe për një bashkëpunim të mundshëm me regjisorët shqiptarë.

Krejt në fund ai ka folur edhe për vuajtjet e popullit të Kosovës, sipas të cilit, Kosova ka dëshmuar se është shpirti i paqes.

KultPlus: Përshtypja e parë për ju Marko, pas aterrimit në Shqipëri nga Hollivudi dhe takimit me nënën tënde?

Marko Caka: Përshtypja ime është vizita e parë pas një karriere goxha te kënaqshme në këtë industri të bukur të Hollivudit , të industrisë amerikane në përgjithësi. Ishte takimi im i pari me mamanë time, me të cilën kishte kohë që pa u parë, një vit e gjysmë dhe u ndjeva shumë mirë. Edhe ajo po përjeton gjëra të bukura që po përjetojë unë sot, por ajo u ndje edhe më mirë, sepse isha i ftuar në Kosovë edhe ishte shumë e mallëngjyer për mikpritjen që do të më krijonte Kosova, Mitrovica, gjithë stafi, ju si media që dhe me të vërtetë është një ditë e paharruar për mua.

KultPlus: Pas Shqipërisë, radhën e kishte Kosova, më përkatësisht Mitrovica, si tu duk në shikim të parë?

Marko Caka: Me të vërtetë në Kosovë kam ardhur një vit përpara, por si aktor është vizita e parë, po ashtu edhe vizita ime e parë në Mitrovicë. Me të vërtetë unë gjithmonë mallëngjehem, emocionohem për Kosovën, sepse Kosova është vendi i të parëve të mi, këtu janë rrënjët e mia të fisit tim.

KultPlus: Si vendose të jesh mysafir special në edicionin e dytë të “Bridge Film Fest”?

Marko Caka: As nuk kam bërë dy herë ta mendojë, sado që jam brenda projekteve të mëdha si aktor me rolet suportuese të vogla , nuk e kam menduar dy herë, sepse më është sugjeruar nga një vajzë të cilën e respektoj shumë, e vlerësoj shumë , më është bërë ftesë nga një përfaqësuese e grave, te cilat marrin iniciativa të mëdha për të ndërtuar një festival kaq të madh në një vend kaq delikat siç është Mitrovica, dhe që besoj se ka arritur gjënë më të bukur që mund të ekzistoj sot për qytetin e Mitrovicës, që të jap atë mesazhin e paqes dhe kjo është ajo që mua më ka nxitur shumë që në momentin e parë që unë kam marrë një mesazh nga Neri. Dhe unë e vlerësoj shumë dhe është një gëzim i madh që unë gjendem sot para saj, para këtyre artdashësve të Mitrovicës dhe Kosovës në përgjithësi.

KultPlus: A keni pasur ndonjë ftesë tjetër të ndonjë festivali në Kosovë të jeni mysafir nderi apo kjo është hera e parë?

Marko Caka: Të jem i sinqertë karriera ime është e vogël si distancë, dhe nuk vijë pas një karriere shumë të madhe ku njerëzit kishin mundur të më njohin më shumë, dhe kjo mund të jetë një arsye, sepse nuk janë të gjithë në kontakt me mua, por fatmirësisht kemi një rrjet social i cili në disa mënyra me disa njerëz mund të jesh më afër, pra virtualisht, por jo me të gjithë. Unë nuk kam pasur ndonjë ftesë por edhe nëse do të kisha do ta përqafoja me të vërtetë, edhe pse jam shumë i ngarkuar me agjendat e mija, me punën e stërlodhshme, të them realisht, por jam shumë i hapur dhe jam shumë përkrahës i gjithë organizatorëve që donë të bëjnë festivale, sepse festivalet janë shembulli më i mirë për të suportuar filmin, dhe talentet e rinj.

KultPlus: Nëse do të kishe ndonjë ftesë të ndonjë regjisori kosovar ose shqiptar do të vije të luaje?

Marko Caka: Absolutisht që po, unë jam drejt asaj që ti japim një mundësi të gjithë aktorëve, regjisorëve dhe artistëve të rinj në përgjithësi. Kemi shumë talent të cilët fatkeqësisht nga ana gjeografike nuk e kanë mundësinë që të ndjekin një karrierë ndërkombëtare, unë jam shumë i interesuar që të bëjmë një urë lidhëse, që të nxjerrim një produkt që ta shfaqë kombin shqiptarë përtej Atlantikut.

KultPlus: Nuk e di sa ke qenë aktiv ta ndiqni kinematografinë kosovare, por aq sa keni mundur të shihni a mendoni se po përçohet zëri i kosovarëve nëpër Botë?Marko Caka: Patjetër që po, mos të harrojmë se Kosova përfaqësohet edhe sot nga një artist i madh sado që i ndjeri është në jetën tjetër. Ai ka mbetur dhe do mbetet gjithmonë në mendjen e shqiptarëve si përfaqësuesi me i denjë, Bekim Fehmiu. Jam plotësisht i bindur që kinematografia kosovare ka vlerat e veta, artistë të mëdhenj, regjisorë të mëdhenj të cilët përkundër vështirësive të cilat kryesisht janë ekonomike, ata prapë se prapë arrijnë të krijojnë, e kjo është për tu vlerësuar shumë. E ëndërroj një ditë që kosovarët bashkë me shqiptarët të jenë një ditë pjesë e filmave të mëdhenj botëror.

KultPlus: Krejt për fund Marko, si kishe dashur ta përmbyllim këtë intervistë pranë urës së Ibrit, një urë me një histori të veçantë?

Marko Caka: Kosova është drejt një vendi i cili po realizon ëndrrën e kujtdo që ka sot në botë, është simboli i atij shpirti të vuajtur i cili sado që ka qenë në dallgët e historisë, ka arritur të mbijetojë me gjithë atë gjenocidin famëkeq që përjetoi, Kosova prapë se prapë është shpirti i paqes. Prandaj Kosova është një mesazh për të gjithë popujt që duhet të qajnë çdo pengesë që sjellin situata e ndryshme. Mesazhi më i mirë do të ishte që Kosova shumë shpejtë do të jetë bashkë më Shqipërinë, një fuqi rajonale e fortë me një komb shumë të fuqishëm me aspirata shumë të mëdha.