Lajme Shqip Sunday, 14 August 2011 15:13

Tetovë – Aktorja e njohur e Hollivudit, Eliza Dushku, së bashku me të dashurin e saj, fitues i trefishtë me ekipin e Los Anxhelos-Lakers të ligës profesionale amerikane në basketboll, NBA, Rik Foks dhe fotografin e njohur shqiptar, Fadil Berisha, kanë vizituar dje Xhaminë e Larme dhe kompleksin Arabati Baba Teqe në Tetovë.

Dushku, e cila ka prejardhje shqiptare nga rrethi i Korçës, për herë të parë është për vizitë në Maqedoni dhe në Kosovë, përderisa në Shqipëri ka qenë tre herë. Pas vizitës së  njërës nga përmendoret më të rëndësishme kulturore-historike, nga periudha e osmanlinjve në Tetovë, Xhamia e Larme, ajo e shprehu kënaqësinë e saj nga mundësia që të jetë në Maqedoni, për të cilën ka ditur se është vendi i disa shqiptarëve të mëdhenj, siç janë Nënë Tereza, komandanti ushtarak Leka i Madh, e tjerë.

“Shumë më vlenë mundësia që t’i vizitoj Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, së bashku me kolegun tim Blerim Destani, i cili e ka prejardhjen nga Tetova, dhe gjithashtu është i njohur si aktor i Hollivudit. Vizitën do ta shfrytëzojmë për të incizuar një dokumentar, dedikuar trashëgimisë kulturore në këto hapësira dhe më vjen mirë që këtë do ta ndaj me miqtë e mi në Amerikë. Njerëzit kudo që ishim, ishin shumë të hapur dhe të miqësuar. Përderisa na jepet rasti që së bashku me Blerimin të incizojmë një film të ardhshëm në këto hapësira të Ballkanit, kjo për mua do të jetë realizim i ëndrrave”, ka thënë Dushku.

Ajo në ditët paraprake arriti në Shqipëri ku u shpall për qytetare nderi dhe ambasadore e kulturës nga qyteti i Tiranës. Pas vizitës në Tetovës, ajo po qëndron edhe në Kosovë. (LajmeShqip.com)