Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 07:35

Vlorë – Mbrëmë në Vlorë u zhvillua ceremonia zyrtare e çeljes së Panairit të 13-të të librit, ku ishin të ftuar shkrimtarë, poetë, akademikë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe trevat e banuara nga shqiptarët.

Panairi i Librit “Vlora 2011”, ka hyrë në edicionin e tij të 13-të. Në të janë përfaqësuar 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, me rreth 10.000 tituj librash. Mes tyre përfshihen shtëpitë botuese “Toena”, “Onufri”, “Dudaj”, “Scanderbeg Books”, “Bota Shqiptare”, “Fan Noli”, “Alb-As”, “IDK”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe mjaft shkrimtarë vlonjatë, që kanë stendat e tyre.

Gjatë ditëve të panairit do të ketë një numër aktivitetesh, ku përfshihen edhe ato të prezantimit të krijimeve nga autorë vlonjatë si historiani Bardhosh Gaçe, apo Miliano Stefa, Çlirim Hoxha, Hiqmet Meçaj, Myrteza Mara, Lefter Çipa, Nase Jani, etj.

Panari do të qëndrojë i hapur nga ora 18.00-24.00,  deri më12 gusht. Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip dhe Bashkia e Vlorës, me mbështetjen e Klubit “Petro Marko”, Shoqatës Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali”, shoqatës “Labëria”, Qendrës Kulturore Vlorë, Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj”, etj.

Ky aktivitet është i dyti që organizohet gjatë këtij viti në qytetin e Vlorës. Në muajin prill u përfaqësuan 40 botues me rreth 5000 tituj.